“Zgjodhëm ta fillonim në këtë universitet, jo rastësisht, pasi dëshirojmë ta shembim murin që e ndan universitetin nga jeta reale, nga fusha për të cilën ju keni ardhur të merrni mësime, që të përfitojmë në një proces bashkëpunimi mes qeverisë dhe universitetit.
Vizituam kantierin në territorin e universitetit, unë jam i pakënaqur, pasi besoj që ka ende shumë për të bërë. Ata janë të kënaqur për aq sa mundësitë kanë qenë, po ne do të krijojmë mundësi të reja.
Para një viti nuk arrija të besoja se cfarë hataje ishte kjo hapësirë, me një ndërhyrje të parë është krijuar një bazë për të vendosur pak rregull, por ka ende shumë.
Këtu nuk duhet të ketë asnjë aktivitet që nuk është në harmoni me universitetin, këtu nuk mund të ketë më shumë makina se njerëz. Shpronësimet do i bëjmë. Ka ende disa struktura që ose duhet të shemben ose duhet t’i kthehen universitetit.
Këtu nuk mund të jetë një ambient që mund të kalojnë edhe banorët, edhe studentët edhe pedagogët edhe kafshët shtëpiake.
Në një kohë ky universitet prodhonte dhe shiste, kishte një bazë, pastaj merreshin të gjitha arritjet e eksperimenteve. UB i ka mundësitë që të bëhet një bazë prodhuese dhe i ka potencialet që të bëhet konsulenti strategjik i qeverisë. Nuk kemi pse harxhojmë para për të blerë konsulenca në treg, por këtu.
Së bashku ne do ta bëjmë këtë. Në këtë territor është vendi i duhur për të hapur rrugë për të shkuar shumë më larg, se e tashmja na mundëson. Duhet të kemi një shembull për ata që merren me bujqësi dhe blegtori. Territorin e Universitetit Bujqësor do të kthejmë në një oaz” përfundoi kryeministri.
dy.b/shqiptarja.com










