Bujtinat gjallërojnë Shën Gjergjin, Rama: Ky është modeli për t'u zhvilluar

Bujtinat gjallërojnë Shën Gjergjin, Rama: Ky është modeli për t'u zhvilluar

Shën Gjergji, një fshat piktoresk me resurse të jashtëzakonshme për ekonominë e turizmit, 40 kilometra larg kryeqytetit, por që deri 3 vite më parë po braktisej edhe nga vetë banorët, sot po shndërrohet në një prej destinacioneve kryesore të turistëve që vijnë edhe nga Anglia, apo Gjermania.

Vëmendja ndaj këtij fshati pothuajse të harruar u rikthye pas përfshirjes nga qeveria në Programin 100 Fshatra, si dhe mbështetjes në drejtim të zhvillimit të agroturizmit, për të shfrytëzuar jo vetëm bukuritë natyrore, por dhe ushqimet bio e karakteristike të zonave me potencial thithjen e turistëve.

Kryeministri Edi Rama ka vizituar një prej bujtinave të para të ndërtuara në Shën Gjergj. Albina Çuko shtëpinë e të parëve e rindërtoi me ndihmën e qeverisë, përmes Fondit të Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Agroturizëm dhe sot menaxhon me sukses turistë të shumtë që e vizitojnë atë.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një model që duhet ndjekur për të vijuar me zhvillimin jo vetëm të kësaj zone por kudo ku ka resurse të tilla natyrore. “Puna është që të ruajmë këtë lloj stili. Ky është model për t'u zhvilluar më tutje’ nënvizoi ai.

“Është një bujtinë e mbështetur nga skema kombëtare mbështetëse për zhvillimin rural për bujtina dhe agroturizme. Subjekti është përfitues i një shumë prej 8 milion lekësh të reja për rikonstruksionin e godinës që kishte filluar të ndërtohej, por për pamundësi financiare kishte mbetur pezull. U bënë aplikantë të AZHBR-së dhe e përfunduan në një kohë rekord. Bujtina është e para e llojit të saj në këtë zonë,” shprehet drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca.

Njerëzit janë shumë të kënaqur dhe të habitur me këtë natyrë, me këtë vend të mrekullueshëm. Kur Shën Gjergji u shpall si fshat turistik morëm spunton që të bënim rikonstruksionin e shtëpisë dhe pse jo të bëheshim pika e parë e bujtinave këtu në Shën Gjergj që të fillonte turizmi se kishte ngelur si një fshat i harruar, kurse tani rruga, bujtina, njerëzit, kanë filluar goxha ndryshime,” shprehet Albina.

Përpos bujtinës kjo sipërmarrëse ka ngritur edhe infrastrukturën e nevojshme për turizëm malor, ambiente argëtuese për fëmijë, vend për barbeque, etj, ndërsa bashkëpunon me fermerët e zonës për të gjitha produktet bujqësore dhe të përpunuara që shërbehen në bujtinë.

Fundjavat i kam të zëna nga të huajt. Pres një grup turistësh të hënën nga Uellsi. Më mori dhe një vajzë e kompanisë gjermane, tha në datë 26 kemi përzgjedhur bujtinën tuaj në Tiranë dhe do vijnë për të parë si bëhet turizëm në Shën Gjergj,” shton më tej sipërmarrësja.

Deputeti Xhemal Qefalia thekson se i gjithë ky hov investimesh, interesi dhe fluksi turistësh ka ardhur pas përfshirjes së këtij fshati në programin e 100 Fshatrave. “3 vitet e fundit një fluks shumë i madh i personave që ishin larguar nga Shën Gjergji, që kishin zbritur në Tiranë, me promovimin që i është bërë Shën Gjergjit, duke u futur te 100 Fshatrat kanë ardhur dhe janë rikthyer përsëri këtu për të ngritur biznese. Kanë hapur lokale, baxho. Ka një rikthim që ishte gati i braktisur si zonë e largët. Shën Gjegji këtu ishte dhe para 5 vitesh dhe para 6 vitesh dhe është realitet. Këtu s’vinte askush. As nuk e dinte njeri që ka një Shën Gjergj,” u shpreh Qefalia.

Shen Gjergji ka një reliev malor dhe është i pasur me burime të shumta ujore dhe liqene. Disa prej vendeve që tërheqin vëmendjen e turistëve janë Ujëvara e Shengjinit, Rrënojat e Kështjellës së Shëngjinit, Kalaja e Shën Gjergjit, Shpella e Valit, Vendi i shenjtë dhe varri i vjetër, si dhe Mali i Gropa.

Mbështetja e investimeve në agroturizëm nga Qeveria ka si qëllim zhvillimin ekonomik rural përmes nismave personale, si faktor stimulues i modelit të ri ekonomik në Shqipëri. Këto lloj investimesh shihen edhe si një mundësi e mirë e diversifikimit ekonomik, kapitalizimit të burimeve natyrore dhe një alternativë e re për zhvillimin rural.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve