SOFJE - Ukraina po e respekton plotësisht armëpushimin në lindjen të vendit, por ka pësuar 112 sulme në 24 orët e fundit, deklaroi sot ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Pavlo Klimkine, gjatë një vizite në Sofje.
"Ne dhe forcat e ushtrisë ukrainase po e  respektojmë plotësisht regjimin e armëpushimit, por fatkeqësisht, ne kemi marrë si përgjigje 112 sulme në 24 orët e fundit, nga ana e terroristëve të Donetskut dhe Luganskut", deklaroi ai.
"Jemi plotësisht të angazhuar për respektimin e marrëveshjeve të Minskut. Për ne është e vetmja rrugë e mundshme për vendin", shtoi Klimkine duke shtuar se fatkeqësisht situata mbetet shumë e tendosur.
"Është e nevojshme tashmë të ndërpresim të shtënat, të tërheqim artilerinë e rëndë dhe të nisim shkëmbimin e të burgosurve, në mënyrë që dhe ndihma humanitare të mund të arrijë tek njerëzit dhe ata të marrim medikamente mjekësore dhe ushqim dhe që ne të mund të rifillojmë procesin politik", nënvizoi ministri.
Tridhjetë e gjashtë orë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi tjetër që u vendos në Minsk mes drejtuesve gjerman, francez, rus dhe ukrainas, luftime intensive vazhduan edhe sot rreth qytetit strategjik të Debaltseves, ku janë vendosur disa mijëra ushtarë ukrainas./ATSH/