Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Bullgari vijon të rritet me ritëm të fortë. Deri në orën 16:00, ajo arriti në 34.63%, rreth 9 pikë përqindje më e lartë se në zgjedhjet e fundit.
Shifrat u bënë publike nga zëvendëskryetarja dhe zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Rositsa Mateva, e cila theksoi se kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me 26.25% në të njëjtën orë në votimin e kaluar.
Zona me pjesëmarrjen më të lartë rezulton të jetë rajoni i 23-të në Sofje me 43.38%, ndërsa më e ulëta në Kardzhali me 23.34%.
Nga ana tjetër, procesi nuk ka kaluar pa probleme. Deri tani janë regjistruar 182 ankesa dhe sinjalizime, një numër dukshëm më i lartë se në zgjedhjet e mëparshme.
Shumica e tyre lidhen me vështirësi në votimin elektronik. Qytetarët kanë raportuar makina të bllokuara, vonesa në proces dhe radhë të gjata në qendrat e votimit.
Sipas KQZ-së, 75 makina votimi janë nxjerrë jashtë funksionit brenda vendit, ndërsa jashtë tij janë raportuar vetëm disa raste, të cilat janë zgjidhur.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se, në përgjithësi, procesi zgjedhor po vijon normalisht si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ndërkohë, votimi ka përfunduar tashmë në disa zona jashtë Bullgarisë, përfshirë Australi, Zelandë të Re dhe disa vende aziatike.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet parlamentare në Bullgari, 181 denoncime për manipulim votash, 3 të arrestuar! Ish-presidenti pro-rus Radev flet për ndryshim, rivali Borisov paralajmëron krizë










