Për herë të parë në historinë e Bullgarisë, posti i kreut të shtetit do të mbahet nga një grua.

Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë ka pranuar dorëheqjen e Presidentit Rumen Radev, duke i hapur rrugën transferimit automatik të kompetencave presidenciale tek Iliana Yotova, e cila mbante postin e zëvendëspresidentes.

Radev e njoftoi vendimin e tij më 19 janar në një fjalim drejtuar popullit bullgar. Mandati i tij i skadon më 21 janar 2027 dhe deri atëherë, sipas Kushtetutës së Bullgarisë, funksionet e kreut të shtetit do të kryhen nga Iliana Yotova.

Iliana Yotova ka qenë gazetare, anëtare e parlamentit dhe eurodeputete. Ajo ishte drejtuese e qendrës së shtypit të Këshillit Kombëtar të BSP-së në periudhën 1997–2007, dhe që nga viti 2000 është anëtare e tij.

Ajo ishte anëtare e Parlamentit të 40-të të Bullgarisë, nga viti 2005–200). Në atë kohë ajo ishte gjithashtu kryetare e delegacionit bullgar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë dhe zëvendëskryetare e delegacionit parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).  Yotova ka qenë dy herë eurodeputete Parlamenin Evropian.

Dorëheqja e Radev erdhi mes një krize politike në një kohë kur Bullgaria do të mbajë zgjedhje parlamentare për herë të tetë brenda katër vjetëve. Një sërë fituesish zgjedhësh kanë dështuar të arrijnë ta sigurojnë shumicë apo të krijojnë koalicione të qëndrueshme për një qeveri stabile.

Koalicioni i fundit zgjati pothuajse një vit, derisa protestat kundër një buxheti të ri dhe korrupsionit të përhapur e detyruan të japë dorëheqjen në dhjetor. Zgjedhjet pritet të mbahen në muajt në vijim.