DELVINË- Në qendër të Delvinës, një muze i ri u ofron vizitorëve udhëtim të rrallë në kohë, duke shpalosur jetën dhe traditat e një qyteti të vogël por me vlera hitorike.
Në muze ruhen objekte mbi 100-vjeçare, të dhuruara nga familje delvinjote. Pavioni i parë është një dhome pritje, e viteve 1920 me sofer e oxhak.
Historiani Fatos Dauti shprehet se “minderet e mbushura me kashtë apo xhufkë misri, oxhaku ku gatuheshin ushqimet, sofra e madhe ku hante e gjithë familja, perdet tradicionale dhe dritaret prej druri. Në mes të dhomës gjendet djepi, ku qëndronte nëna me foshnjën, ndërsa prindërit dhe pjesëtarët e tjerë uleshin anash oxhakut sipas një rregulli të pashkruar.”
Ndersa ne pavionin tjeter ruhet etnografia e qytetit, ku komunitete të ndryshme – myslimanë, të krishterë, minoritarë grekë dhe çamë – kanë bashkëjetuar dhe kanë krijuar një trashëgimi te pasur kulturore.
“Ekspozohen veshje tradicionale, vegla për përpunimin e leshit, furka për përgatitjen e fillit dhe makineri për qilima e veshje barinjsh. Disa nga këto produkte përdoren edhe sot, si fanellat e leshta”, shpjegon më tej.
Më tej shohim hapësirën e dedikuar luftës Luftës Nacionalçlirimtare, ku gjenden pushket me emrat e partizaneve dhe nje helmete gjermane.
Historiani Fatos Dauti thekson se “janë ekspozuar fotografi të dëshmorëve, armë autentike dhe dokumente që tregojnë historinë e batalioneve dhe çetave partizane. Ndër objektet më të veçanta janë pushkët me emrat e partizanëve dhe një helmetë gjermane e gjetur gjatë luftës.”
Një tjetër hapësirë rikrijon jetën gjatë periudhës së komunizmit, me mobilie dhe sende të përdorimit të përditshëm, si televiziori Iliria apo radio Mimoza.
Në këtë muze gjenden dhe dokumente origjinale të Sulejman Delvinës, kryeministrit të parë shqiptar nga Kongresi i Lushnjës, përfshirë korrespondencën e tij me Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin.
Muzeu i Delvinës nuk është thjesht një hapësirë ekspozimi por një arkiv i gjallë i kujtesës dhe trashëgimisë kulturore.
Komente








