Një kazino është tentuar të grabitet një ditë më parë në Bulqizë. Persona të pa identifikuar nëpërmjet portës së pasme kanë hapur derën pa dëmtime (me çelës),  dhe janë futur  brenda sallës së lojrave të fatit, në pronësi të shtetasit R.K, 43 vjeç, ku kanë kontrolluar për vlera monetare por nuk kanë mundur të marrin asgjë.

Në orët e mbrëmjes datë 30.10.2017, shërbimet e policisë kanë marrë informacion, se në aksin rrugor Maqellarë-Shupenzë, në anë të rrugës është konstatuar një automjet i djegur.

Grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes ku  në vendin e quajtur "Maranicë",  aksi rrugor Maqëllarë - Shupenzë, rreth  200 metra në anën e majtë të rrugës  është konstatuar  një mjet  tip "Mercedez-Benz" , me targa TR 8692 F, i djegur plotësisht,  në pronësi të shtetasit S.P,  banues në Tiranë. Sipas policisë, ky automjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët që tentuan të vidhnin kazinon në qytetin e Bulqizës.

Specialistët e policisë po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj  ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com