TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi ka reaguar pas deklaratës së Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS, njëherësh bashkëkryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, për mosarritja e një deklaratë të përbashkët mazhorancë-opozitë dhe Bashkimit Europian. Në përgjigje të deklaratave të Ballës i cili tha se opozita nuk firmosi rezolutën, deputeti demokrat akuzoi dyshen Rama-Meta për mosarritjen e deklaratës së përbashkët.
 
Në një deklaratë për shtyp, Bumçi tha se propozimet PD-së nuk u morën parasysh, dhe “dyshja Rama-Meta bëri prapa kthehu nga pikat ku ishte rënë dakord më parë”.

“Arroganca e mazhorancës Rama-Meta nuk ka të sosur. Cdo premtim, kjo mazhorancë arrogante e zhbën në mënyrën me teatrale të mundshme. Akti i fundit është loja kukafshehthi në Komitetin e Përbashkët Parlamentar të Stabilizim Asociimit”, tha Bumçi. 

Sipas tij, “kjo mazhorancë nuk donte një deklaratë të përbashkët. I gjetur para kësaj situate absurde, Kukan pranoi se deklarata i ishte dërguar para nja jave, duke thënë se problemi është në Kuvend. Meta nuk është përgjigjur ende pse projektdeklarata nuk iu dha opozitës. Propozimet tona nuk u morën parasysh në Strasburg, por u la që të vijonim negociatat në Tiranë. Për plot 23 ditë shumica nuk iu përgjigj propozimeve tona, duke treguar një mungesë të plotë interesi."
 
"Mazhoranca nisi negocimin të enjten e shkuar pas 23 ditë heshtje të plotë. Dyshja Rama-Meta nuk pati vullnet politik për një produkt të përbashkët. Ata nuk ishin të interesuar të ndërtonin një marrëdhënie të përshtatshme me opozitën, bëmë prapa kthehu nga pikat ku kishim rënë dakord më herët”,- tha Bumçi.

Deputeti demokrat, Aldo Bumçi ka sqaruar se ia ka dërguar një letër kreut të Kuvendit, por “Meta nuk ka denjuar të përgjigjet se përse projekt-deklarata, nuk iu dha opozitës.”

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)