Bumçi: Tirana dhe Prishtina
kanë humbur kontaktet diplomatike

TIRANE- Ish ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, u shpreh dje se prej kohësh nuk ka asnjë komunikim në rrugë diplomatike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë seancës dëgjimore me kandidatët për ambasadorë në Sllovaki, Enkeleda Mërkuri, në Hungari, Arian Spasse dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ermal Dredha, Bumçi tha se është shqetësuese kjo “krizë” në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës. Sipas tij, raportet janë ndërprerë që prej nisjes së krizës politike në Kosovës, por edhe zhvillimeve të mëpasme që kanë të bëjnë me aspiratën e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

“Mesa informacion kemi, Tirana me Prishtinën i kanë humbur kontaktet, nuk komunikojnë më. Dhe ky është një zhvillim shumë negativ. Qëndrimet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ndaj qeverisë shqiptare tregojnë që ka një marrëdhënie që është marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar. Pra, ishte një deklaratë që do të thotë se marrëdhëniet janë përkeqësuar prej kohësh dhe mendoj se kanë ardhur si rrjedhojë e qëndrimeve të njëanshme të palës tonë”, u shpreh Bumçi.

Sipas tij, një prej arsyeve të krisjes diplomatike mes Shqipërisë dhe Kosovës, është dështimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Ish ministri i Jashtëm tha se ka patur një moskoordinim të të dy palëve në kuadër të lobimit në mënyrë që Kosova të merrte votat e nevojshme për tu anëtarësuar. “Moskoordinimi i votave për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është një nga arsyet e krizës diplomatike mes dy vendeve”, theksoi deputeti demokrat. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO dështoi për vetëm katër vota, pavarësisht lobimit të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe atij të Kosovës, njëherazi zv/kryeministër, Hashim Thaçi.

Duke iu drejtuar kandidates për ambasadore në Sllovaki, Enkeleda Mërkuri, nënkryetari i komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Aldo Bumçi kërkoi asistim në rrugë diplomatike për një qasje “pro” Kosovës me qëllim njohjen e pavarësisë së saj. “Ne zakonisht priremi që marrëdhëniet ndërkombëtare t’i kemi vetëm me vendet e mëdha dhe harrojmë vendet e vogla si Sllovakia apo dhe Hungaria. Sot Sllovakia nuk e njeh Kosovën. Dhe duhet më shumë punë në këtë drejtim”.
 
Ambasadorët 
Ndryshe nga një javë më parë kur opozita kontestoi emrat e propozuar nga Ministria e Jashtme për ambasadorë, dje për tre kandidatët për ambasadorë në Hungari, Sllovaki dhe Emiratat e Bashkuara Arabe, përkatësisht Enkeleda Mërkuri, Arian Spasse dhe Ermal Dredha, opozita votoi pro tyre. Javën e kaluar, opozita kundërshtoi kandidaturën e Ravesa Lleshit, e cila zëvendëson ambasadorin e shkarkuar Spiro Koçi, si ambasadore e Shqipërisë në OSBE, me arsyetimin se nuk vjen nga radhët e diplomatëve të karrierës. Bumçi akuzoi pasardhësin e tij në krye të Ministrisë së Jashtme, se po sulmon vazhdimisht diplomatët e karrierës duke i zëvendësuar ata me kandidatura politike. Propozimet i kanë kaluar Presidentit Bujar Nishani për dekretim.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Arben Ahmetaj

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Arben Ahmetaj