Bumçi: Të dorëhiqet ministri, MPJ:
Ja pse refuzuam kryesinë e komitetit

Bumçi: Të dorëhiqet ministri, MPJ:<br />Ja pse refuzuam kryesinë e komitetit
TIRANE - Pas akuzave të një dite më parë se Ministrja e Jashtme ka gabuar me refuzimin për të kryesuar komitetin e Ekonomisë në OSBE, deputeti demokrat Aldo Bumçi në një dalje tjetër për mediat kërkoi shkarkimin e ministrit Ditmir Bushati. Për Bumçin ky është një skandal i rëndë, pasi do të ishte e vetmja mënyrë për të balancuar presidencën serbe të OSBE.
 
Në një reagim për Shqiptarja.com Ministria e Punëve të Jashtme sqaroi arsyet pse Shqipëria refuzoi të kryesojë komitetin e Ekonomisë në OSBE.
 
Sipas Ministrisë së Jashtme, propozimi që OSBE bëri për kryesimin e komitetit të ekonomisë u refuzua pasi ministria ka kërkuar që të marrë drejtimin e një prej komiteteve për çështjet e sigurisë ose atë për të drejtat e njeriut.
 
Kjo kërkesë është bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme duke pasur parasysh edhe eksperiencat e mëparshme që vendi ynë ka pasur në drejtimin dhe dhënien e kontributit të këtyre komiteteve.
 
Në komisionin e Politikës së Jashtme të mbajtur dje Bumçi kritikoi Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati për refuzimin e drejtimit të njërit prej komiteteve të OSBE. Sipas Bumçit vendimi i Bushatit ka dëmtuar pozitën e vendit tonë, për më tepër që ky vendim është marrë në një kohë kur Presidencën e OSBE-së do ta marrë Serbia.

Reagimi i plotë i MPJ-së për Shqiptarja.com
OSBE-ja ka tri komitete, një për çështjet e sigurisë, atë për të drejtat e njeriut dhe ai për çështjet ekonomike, sociale dhe mjedisore. Ne si ministri kemi kërkuar që të marrim drejtimin e një prej dy të parave, duke marrë parasysh edhe eksperiencat tona, kontributin tonë në këto dy komitete si dhe objektivat tona kombëtare. Por na është ofruar vetëm drejtimi i Komitetit të Çështjeve Ekonomike. Propozimi na ka ardhur direkt nga vetë organizata e OSBE-së.
 
Deklarata e plote e deputetit te PD Aldo Bumci
Ministri i Jashtëm ka refuzuar kryesimin nga Shqipëria të një nga tre komitetet e OSBE, duke kryer një akt të papreçedent në historinë e diplomacisë sonë. Duke refuzuar drejtimin e komitetit, ka humbur një shans unik për të balancuar presidencën serbe të OSBE-së dhe për të rritur rolin ndërkombëtar në këtë kohë zhvillimesh të rëndësishme në Europë.

Kërkesa që Shqipëria të drejtonte një nga tre komitetet e OSBE-së, ka ardhur nga partnerët tanë më të rëndësishë në kuadër të OSBE-së, SHBA, Gjermani, etj. Kjo mbështetje nërkombëtare duhet të siguronte miratimin e të gjithë vendeve anëtare të OSBE-së, duke përfshirë Presidencën serbe që të pranonin që Shqipëria të drejtonte një nga tre komitetet.

Ndërsa ky proces është kurorëzuar me sukses, dhe kërkesa zyrtare ka ardhur nga OSBE-ja që Shqipëria të kryesojë një nga tre komitetet, nga Ministriajonë e Jashtme ka ardhur refuzimi. Me gjithë lobimin e partnerëve për të bindur Ministrin tonë të jashtëm, Bushati, ai ka refuzuar duke u justifikuar me mungesë burimesh njerëzore dhe fondesh. Këmbëngulja e partnerëve tanë, ka habitur madje të shokuar nga refuzimi i Ministrit të Jashtëm, ka arritur deri aty sa dhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së i ka premtuar Ministrit Bushati se do ta mbështeste ai Shqipërinë me burime njerëzore. Por përsëri, Ministri Bushati ka refuzuar.

Është e   padëgjuar që vendet më të rëndësishme partnere dhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së të angazhohen në interes të Shqipërisë dhe të jetë Ministri i Jashtëm i vendit, Bushati që të dalë kundër interesit të vendit të tij dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Drejtimi i këtij komiteti do të rriste peshën dhe rolin e Shqipërisë në kuadër të OSBE-së në një moment historik dhe shumë të rëndësishëm. E para për shkak të presidencës serbe kjo do të sillte një balancim, i cili do të ishte në interes të Shqipërisë, Kosovës, dhe shqiptarëve. E dyta, për shkak të krizës në Ukrainë roli dhe pesha e OSBE-së është rritur ndjeshëm, dhe drejtimi i një nga tre komitetet do ti jepte vendit tonë një dimension dhe rol të panjohurmëparë. Drejtuesit e tre Komiteteteve janë të ulur në të gjitha tryezat e rëndësishme siç ishte dhe ajo që u organizua përpara pak ditësh për Ukrainën.

Njeriu që duhet të promovojë interesin e vendit ka dalë kundër tij. Mjafton ky skandal, që Ministri i Jashtëm Bushati të japë dorëheqjen ose të shkarkohet pa vonesë.

Redaksia Online
(F.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha

Kushtetuesja tha "garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës", shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive