POGRADEC- Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin Sandokan Meçaj, i cili plagosi me thikë në qafë kushërirën e tij me të cilën kishte lidhje intime.
 
Ngjarja e pazakontë u shënua dy ditë më parë në fshatin Memëlisht të Pogradecit.
 
34-vjeçarja Bona M., lindur në Shkodër dhe nënë e tre fëmijëve është qëlluar me thikë nga djali i tezes së saj. Ajo është zhvendosur prej 7 muajsh dhe jeton në familjen e tezes.
 
E martuar në Malësi të Madhe, Bona është detyruar të largohet, pasi burri i saj vrau një person në vitin 2011.
 
Pas zhvendosjes së saj në shtëpinë e tezes, ajo nisi një marrëdhënie intime me kushëririn e saj 29-vjeçar, Sandokan Meçaj.
 
Sipas burimeve zyrtare nga Policia, 34-vjeçarja dhe kushëriri i saj (i divorcuar), prej muajsh kishin krijuar një lidhje intime.
 
Meçaj e ka qëlluar me thikë “të dashurën” e tij me të cilën ka lidhje gjaku, për shkak të xhelozisë, pas një debati të çastit në rrugë.
 
Kanë qenë banorët e zones, të cilët e kanë transportuar me urgjencë 34-vjeçaren në spital. Më pas, 29-vjeçari është vetëdorëzuar në polici së bashku me thikën.
 
Ai akuzohet për veprën penale “tentativë vrasjeje”.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)