1763639608_belindaballuku.jpg

Belinda Balluku para SPAK

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet prej 5 orësh në kryeministri në një takim me kryeministrin Edi Rama, pasi Gjykata e Posaçme i caktoi masën e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, tashmë të ekzektuara.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Balluku pretendon se pezullimi është shkelje e Kushtetutës nga ana e GJKKO-së dhe se këtë vendim nuk mund ta marrë kjo gjykatë. Në fakt, Kodi i Procedurës Penale thotë se masa e pezullimit nga detyra merret ndaj çdo funksionari publik, përveç atyre të zgjedhurve sipas Kodit Zgjedhor.

Prej 2 orësh, takimit Balluku-Rama i është bashkuar edhe deputeti Ulsi Manja, i cili është thirrur për një opinion juridik lidhur me rastin, pasi me profesion ai është jurist, dhe ka qenë prokuror e ministër i Drejtësisë.

Dy javë më parë, Balluku u mor e pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. SPAK e akuzon se ka kontrolluar çdo hap të një projekti me vlerë rreth 190 milionë euro dhe se ka paracaktuar fituesin në kundërshtim me kriteret standarde të prokurimit publik për një nga projektet më të shtrenjta të infrastrukturës në pesë vitet e fundit. Gjatë seancës parlamentare të së mërkurës, Balluku deklaroi se akuzat ndaj saj ishin të pabaza. 

Sot SPAK njoftoi se zëvendëskryeministrja është nën hetim edhe për tenderin për lotin e katërt të Unazës së Madhe.


Lajmi kryesor:

Pas Llogarasë, Balluku nën hetim edhe për Unazën e Madhe! GJKKO e pezullon nga detyra, SPAK: Shkelje me dy tenderët, masat u ekzekutuan! Mister orët e gjata të qëndrimit në kryeministri