Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, është nisur për një vizitë zyrtare në Washington DC, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku në qendër të bisedimeve të tij është krijimi i bursës së prodhimeve bujqësore si dhe hartimi i një strategjie për parandalimin e peshkimit të paligjshëm. 

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Panariti do të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit, Departamentin e Bujqësisë, Kongresin Amerikan, në Bankën Botërore si dhe në Administratën e Ushqimit dhe të Barnave (FDA).
 
Ai do të takohet me përfaqësues të kompanive amerikane të interesuara për të investuar në bujqësi si dhe me personalitete të komunitetit hebre dhe një vizitë në Muzeumin e Holokaustit në Washington D.C.
 
Në fokus të bisedimeve është, intensifikimi i marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve, mundësia e financimit për pajisjen e laboratorëve rajonalë me teknologjinë bashkëkohore për kryerjen e analizave, asistenca dhe mbështetja amerikane në implementimin e një projekti pilot për krijimin e bursës së prodhimeve bujqësore dhe hartimi i një strategjie parandaluese për peshkimin e paligjshëm.

 
Ministri Panariti takime me Zv/Presidentin e kompanisë amerikane “Abraxis”, lider për pajisjet laboratorike për analizat e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale 

Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, Panariti vizitoi tregun e prodhimeve bujqësore kryesisht organike në Washington.

Ministri ka parë nga afër organizimin e këtij tregu, prodhimet bujqësore organike me origjinë nga ferma të vogla, mënyrën e organizimit dhe etiketimin e tyre. Duke u nisur nga bisedat me fermerët amerikanë, Panariti vlerësoi mënyrën e organizimit të këtij tregu dhe rëndësinë e këtyre prodhimeve organike duke përditësuar këtë shembull edhe në Shqipëri.

Zhvillimi i prodhimit organik i gërshetuar me ofertën agro-turistike, është një nga drejtimet kryesore për bujqësinë shqiptare. Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave do të nisë organizimin e tregjeve për këto lloje prodhimesh, për të inkurajuar fermerët drejt prodhimit organik, një prodhim me shumë perspektivë, i vlerësuar në tregjet ndërkombëtare.

Panariti priti në takim ish-kongresmenin, Mike Sodrel, ku vlerësoi interesimin e tij në mbështetjen dhe zhvillimin e bujqësisë shqiptare.  Panariti e informoi për politikat e ndërmarra nga dikasteri që drejton dhe për projektet të cilat do t’i adresohen në ditët në vijim, në takimet e planifikuara në Departamentin e Shtetit. Nga ana e tij, ish-kongresmeni Sodrel ka shprehur dëshirën për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër mundësinë që ofron sektori bujqësor si një nga sektorët prioritarë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Një nga prioritetet, e axhendës së vizitës së Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave,  Edmond Panariti, është ngritja e një laboratori analizash bashkëkohor, që do të plotësojë kërkesat në rritje të fermerëve për të kontrolluar prodhimet e tyre.
Në këtë kuadër, Ministri Panariti takoi zv/presidentin e kompanisë ‘’Abraxis’’,  David Deardorff, një nga kompanitë më prestigjioze në fushën e kërkimit shkencor dhe analizave laboratorike të prodhimeve ushqimore.

Ministri kërkoi asistencën e kësaj kompanie dhe pajisjen me kitet për analizat e tipit “pre-screening’’, të cilat përbëjnë gjeneratën e fundit të zhvillimit teknologjik amerikan , në  zbulimin e mënyrës sa më të shpejtë të ndotësve, pesticideve ose insekticideve në prodhimet me  origjinë bujqësore dhe shtazore. Mbështetja logjistike e kësaj kompanie, në ngritje të një sistemi laboratorik analizash në Shqipëri, do të jetë një garanci e shtuar për nxitjen e eksporteve.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)