Bushati-Gjiknuri takime zyrtare
në Qipro:Të shtohet bashkëpunimi

Bushati-Gjiknuri takime zyrtare<br />në Qipro:Të shtohet bashkëpunimi
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri kryesuan një delegacion, me pjesëmarrje nga të dy institucionet, në një vizitë zyrtare në Republikën e Qipros.
 
Gjatë kësaj vizite, Ministrat Bushati dhe Gjiknuri realizuan një agjendë të pasur takimesh me autoritetet më të larta shtetërore të Republikës së Qipros. Ata zhvilluan takime me Presidentin e Republikës Nikos Anastasiades, me Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve Janakis Omiru, me homologët e tyre, Ministrin e Punëve të Jashtme Janis Kasulides dhe Ministrin e Energjisë, Tregtisë, Industrisë dhe Turizmit Jorgos Lakotripis, si dhe me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e të Agjencisë së Nxitjes së Investimeve të Qipros.
 
Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe si dhe gjetja e rrugëve të mundshme për përmirësimin dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ishin në qendër të takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme Kasulides. Palët u shprehën se është e nevojshme që potencialet e të dyja vendeve të aktivizohen e angazhohen më tej për të zgjeruar bashkëpunimin.  Besimplotë se marrëdhëniet midis dy vendeve do të hyjnë në një fazë të re dhe të gjallë bashkëpunimi, si në planin dypalësh ashtu dhe në atë shumëpalësh, ministrat Bushati dhe Kasulides theksuan interesin e përbashkët për thellimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në ato sektorë ku potencialet dhe përvojat e ekonomisë qipriote spikasin, siç është energjia, turizmi, transporti detar, financat, etj.

Bushati Gjiknuri
 
Bushati me homologun vlerëson mbështetjen për integrimin
Në takimin me homologun e tij qipriot, Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Qipro për procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe mori sigurimet se kjo mbështetje do të vijojë edhe për fillimin e procesit të negociatave të anëtarësimit. Në këtë kontekst, duke vlerësuar përvojën e Qipros në anëtarësimin në BE, si dhe në respekt të Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy vendeve për çështje të integrimit, Ministri Bushati shprehu interesin e palës shqiptare për realizimin e konsultimeve dypalëshe. Gjatë konferencës për shtyp me homologun Kasulides, Ministri Bushati u shpreh se Shqipëria “inkurajon Qipron për një qasje më fleksibël në raport me Kosovën”. Në kuadër të këtij takim, Ministrat Bushati dhe Kasulides nënshkruan Marreveshjen për bashkepunim në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve.
 
Takimi me Presidentin Anastasiades: Angazhim për bashkëpunimin
Në takimet me Presidentin e Republikës, Anastasiades dhe Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve, Omirus, u theksua angazhimi i përbashkët për zgjerimin e bazës juridike të bashkëpunimit dypalësh, nëpërmjet përshpejtimit të punës për marrëveshjet në proces, propozimit të marrëveshjeve të reja dhe angazhimit të të dyja palëve për zbatimin në praktikë të marrëveshjeve tashmë të nënshkruara. Me rëndësi u vlerësua intensifikimi i bashkëpunimit edhe në kuadrin shumëpalësh, në kuadër të OKB-së, Bashkimit për Mesdheun, etj. Ministrat shqiptarë theksuan se Shqipëria është angazhuar të luajë një rol aktiv, si vend model për bashkëjetesën ndërfetare, e rëndësishme kjo veçanërisht në kushtet aktuale të krizave e kërcënimeve rajonale e globale.
 
 
Gjiknuri me homologun: Inkurajojmë kompanitë e huaja për sistemin energjetik
Gjatë takimit me Ministrin e Energjisë, Tregtisë, Industrisë dhe Turizmit Jorgos Lakotripis, Ministri Gjiknuri u ndal tek reformat që po ndërmerren në Shqipëri, të cilat po japin rezultatet e para në drejtim të rritjes ekonomike dhe krijimit të një fryme sa më të favorshme për biznesin. Gjiknuri theksoi se Shqipëria mund të shfrytëzojë eksperiencat e Qipros në kuadër të menaxhimit të zonave ekonomike. “Shqipëria ka burime të mëdha natyrore të cilat mund të jenë me interes për investitorët tuaj. Ne po inkurajojmë kompanitë e huaja që të investojnë duke shërbyer kështu edhe në forcimin e sigurisë energjetike”, u shpreh Gjiknuri. Duke u ndalur tek projekti i gazsjellësit Transadriatik, Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe diversifikimit të burimeve natyrore duke shfrytëzuar mundësinë që krijon ky projekt gjigand. Ministri Gjiknuri ftoi homologun Lakotripis dhe biznesin qipriot të marrin pjesë në Forumin “Oil and Gas 2015” që do të zhvillohet në Tiranë në mars të këtij viti.
 
Në takimet me përfaqësues të agjencive dhe institucioneve të biznesit vendas, Ministrat Bushati dhe Gjiknuri ftuan bizneset qipriote të investojnë në Shqipëri dhe iu përgjigjën interesit të tyre përmes prezantimit të politikave ekonomike të qeverisë shqiptare, të cilat synojnë e garantojnë një qëndrim e mjedis dashamirës e nxitës ndaj biznesit dhe investimeve të huaja.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë