Bushati i kërkon Metës "lejen"
për negociatat me Greqinë

Bushati i kërkon Metës për negociatat me Greqinë

">
Ekskluzive - Report Tv mëson ekskluzivisht se ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i ka kërkuar dje në mbrëmje zyrtarisht Presidentit të Republikës Ilir Meta, plotfuqishmërinë në lidhje me nisjen e negociatave dypalëshe të Shqipërisë dhe Greqisë, për një sërë çështjesh, mes të cilave, delimitimi i shefit kontinental dhe kufirit detar, heqja e ligjit të luftës etj.

Burime diplomatike bëjnë të ditur për Report TV se në kërkesë mungojnë emrat e negociatorëve. Letra mbërriti sot në presidencë dhe ajo i është dërguar për dijeni edhe kryeministrit Edi Rama. Në shkresën e Bushatit, kërkohet që negociatat të kryhen nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Ekonomisë dhe Institutit të Gjeografisë.

Në kërkesë nuk kërkohet asnjë përfaqësues nga Presidenca. Tre ditë më parë burime nga presidenca duke folur për Report Tv lidhur me marrëveshjen me Greqinë për detin kishin konfirmuar se deri në atë moment nuk ishte kërkuar asnjë plotfuqishmëri për marrëveshjen e detit me Greqinë.

 

Më 10 shkurt 2018, edhe ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani, duke ngritur alarmin për mungesën e plotfuqishmërisë në negociatat mes dy sheteve, kishte kërkuar nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, që të niste menjëherë hetimet.  

Presidenca ka konfirmuar për Report Tv se kërkesa ka mbërritur mbrëmë. Gjithashtu mësohet se kreu i shtetit është takuar sot në orën 08.00 me paraardhëisn e tij, Bujar Nishani  për kërkesën e Bushatit. Presidenti Meta do të konsultohet edhe me ish-presidentët e tjerë në vijim.

Burime nga presidenca konfirmojnë se pjesë e konsultës do të jetë nesër edhe Sali Berisha, i cili ka qenë president i vendit në vitet 1992-1997. Në vitin 2009, kur Berisha ishte kryeministër, ai nënshkroi marrëveshjen e shumëpërfolur të detit me Greqinë, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, pas denoncimit që i bëri paktit Partia Socialiste, asokohe në opozitë. 

Gjatë orëve të pasdites së sotme, në presidencë është shfaqur edhe ish-kreu i shtetit Bamir Topi, në kuadër të konsultave që Meta ka bërë të ditur se do të bëjë me ish-presidentët për këtë çështje.

Në një intervistë për Report TV, pak kohë më parë, Topi ishte shprehur se po të kishte qenë president, për interesin kombëtar do të kishte ftuar në konsulta edhe Ramiz Alinë, në rast se ky i fundit do të ishte gjallë. 

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024