Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme mbeten ndër sektorët më të ekspozuar ndaj pastrimit të parave në Shqipëri. Nga 269 raste të referuara nga Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) te institucionet ligjzbatuese vetëm gjatë vitit 2025, mbi 100 lidhen me pasuritë e paluajtshme, ndërsa në periudhën 2022-2026 janë bllokuar rreth 24 milionë euro.
Shifrat u bënë publike nga drejtori i Përgjithshëm i AIF-së, Ervin Koçi, gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit të ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
“Në 2025 kemi 269 referime tek organet ligjzbatuese, 24 në prokuroritë e rretheve, 32 në SPAK, 133 në polici dhe 80 te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Nga këto, policia ka referuar 85-90% të rasteve tona. SPAK-u i ka vlerësuar dhe ka nisur investigimin penal për rastet tona”, tha Koçi gjatë seancës.
Një tjetër e dhënë domethënëse e bërë publike gjatë diskutimeve lidhet me tregun e pronave. Sipas kreut të AIF-së, më shumë se 100 nga 269 rastet e referuara gjatë vitit 2025 kanë lidhje me pasuritë e paluajtshme, ndërsa ndërtimi klasifikohet si sektor me rrezik të lartë për pastrimin e parave.
“Është e vërtetë që ndërtimi është sektor me risk të lartë në pastrimin e parave. Nëse njerëzit i mbajnë paratë të burgosura do të thotë që sistemi nuk i pranon këto para, në të kundërt do t'i fusnin në sistem, nuk do t'i mbanin. Nga 269 raste që kemi referuar, mbi 100 kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme, prandaj na del me risk të lartë ndërtimi”, tha Koçi.
“Nga 2022-2026 ne kemi bllokuar rreth 24 milionë euro, që u janë dërguar edhe organeve ligjzbatuese”, deklaroi Koçi.
Debat pati gjatë diskutimeve nga ana e deputetëve të PD-së jo vetëm për pastrimin e parave në ndërtim por edhe për ndikimin e parave të paligjshme në kursin e këmbimit.
"Paraja e pisët që nuk ka shqiptar që nuk e di që është me volum gjigant. Me metra kub e llogarisin. Marrin me qera apartamente, i blindojnë dhe minimumi dhomë të mbushur plot. Nuk janë anekdota, se i di njerëzit këto. Ndoshta s'e dini ju, por unë jam i sigurt që edhe ju e dini. Me sisteme kondicionimi që mos t'u myken paratë. Me njerëz që kanë për detyrë t'i kthejnë që mos t'u myken paratë. Pra volumi është gjigant. Madje hyjnë sasi parash me mjete transporti nga trafiku i drogës" tha Oerd Bylykbashi.
“Sa i përket kursit të këmbimit, lexoni raportin e FMN-së. Vlerësimi i lekut ka ardhur për faktorë fondamentalë. Faktorët jo fondamentalë, ku përfshihet ekonomia informale, pastrimi i parave apo burime të tjera jo të ligjshme, janë shumë modestë. E thotë raporti i FMN-së që e kanë përgatitur pesë ekspertë”, iu përgjigj Koçi.
Edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi kërkoi llogari për rezultatet e deritanishme të institucioneve, duke thënë se shqetësimi i opozitës nuk ishte përafrimi i ligjit me BE-në, por efikasiteti i tij në praktikë.
“Që duhet ky përafrim me BE-në nuk ka kundërshti. Ne kemi pasur kundërshti pse nuk ka pasur eficiencë ligji, pse nuk keni qenë eficientë ju, se po hyn para e madhe. Kishte marrë burri i huaj edhe prerëse diamanti, makineri dylli për lekët. Po pastrohen paratë me kuintal. Mbi 20 apo 30 mijë pasuri të paluajtshme rrinë në emër të ndërtuesve, ndërkohë që aty banojnë njerëz”, tha Korreshi.
Deputetët e opozitës kundërshtuan edhe ritmin me të cilin po shqyrtohej projektligji. Bylykbashi tha se një ligj me rreth 200 nene dhe me një rëndësi të tillë nuk mund të kalojë me shpejtësi në komision.
“Nuk mund të vijë një ligj i tillë kaq i rëndësishëm në mënyrë të shpejtë. Situata është gangrenë me pastrimin e parave. Sot supozohet ta miratojmë nen për nen”, tha ai.
Gent Strazimiri ironizoi edhe mënyrën e hartimit dhe volumin e disa dispozitave.
“Duket sikur është bërë me ChatGPT, një nen gjashtë faqe. Të nxjerrim një ligj të duhur, por nuk mund të kalojë me 20 minuta në komision. Të ulemi ta shohim me pjekuri se nuk kalohet kështu. Nuk na vonon as integrimin, se kërkohet të futet në fuqi në 2028”, tha Strazimiri.
Koçi sqaroi se projektligji, nëse miratohet, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2028 dhe bazohet në qasjen sipas nivelit të rrezikut. Ai solli si shembull bankat e nivelit të dytë, të cilat i klasifikojnë klientët sipas rrezikut të ulët, të mesëm ose të lartë, duke kërkuar dokumentacion shtesë për kategoritë me rrezik më të lartë.
Në fund, projektligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës. Katër deputetë të opozitës nuk morën pjesë në votim, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime.
Çfarë parashikon ligji i ri kundër pastrimit të parave
Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” u miratua nga Këshilli i Ministrave më 30 korrik dhe sjell një rishikim të gjerë të kuadrit ligjor shqiptar në këtë fushë. Nisma synon përafrimin me paketën e re të Bashkimit Europian kundër pastrimit të parave, përfshirë Direktivën e 6-të të BE-së, si edhe plotësimin e rekomandimeve të FATF dhe MONEYVAL.
Ndryshimet forcojnë kontrollin mbi pronarët përfitues të kompanive, raportimin dhe shkëmbimin e informacionit mes institucioneve, gjurmimin e transfertave të fondeve dhe kripto-aseteve, si edhe mekanizmat për ngrirjen dhe bllokimin e fondeve dhe pasurive të dyshimta.
Projektligji përfshin gjithashtu rregulla për kontrollin dhe deklarimin e parave fizike që hyjnë ose dalin nga vendi. Kuadri i ri është ndërtuar mbi vlerësimin e riskut, duke parashikuar kontrolle dhe kërkesa më të forta për subjektet apo transaksionet që klasifikohen me rrezik të lartë.
Paketa e re europiane do të nisë zbatimin në vendet e BE-së në korrik 2027, ndërsa në Shqipëri ligji parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2028.









Komente
Komento