PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë, u prit në një takim edhe nga lideri i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj.
Sipas KosovaPress, në takim u diskutua rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë e Shqipëri dhe ndihmës që Shqipëria po i jep Kosovës.
Liberalizimi i vizave, ishte një çështje tjetër që Limaj bisedoi me kryediplomatin shqiptar, të cilin e falënderoi për ndihmën që Shqipëria po i jep Kosovës.
"Ne biseduam për zhvillimet këtu në Kosovë. Ju falënderoj për angazhimin tuaj si ministër dhe si qeveri e Shqipërisë, jo vetëm për atë që jeni duke bërë në Shqipëri, por edhe për zërin dhe një qasje krejt ndryshe në raport me Republikën e Kosovës dhe ndihmën që jeni duke i dhënë", tha Limaj.
Ndërsa, Bushati tha se në takim u diskutua mbi sfidat që ka Kosova për liberalizimin e vizave dhe avancimin drejt integrimit evropian.
"Diskutuam sa i përket aktualitetit në Kosovë dhe Shqipëri. Kemi një njohje të hershme siç ndodh shpesh në klasën politike shqiptare. Do doja t'i uroja Nismës si parti e re suksese në objektivat dhe sfidat e saj. Ndamë gjithashtu edhe informacionet e fundit që kanë të bëjnë me sfidat që ka Kosova kryesisht me liberalizimin e vizave, me avancimin e saj në strukturat evropiane. Dhe gjithashtu diskutuam edhe në lidhje me procesin e Berlinit dhe angazhimet që kanë vendet tona në këtë proces", theksoi Bushati.
Kryediplomati shqiptar më herët gjatë ditës ka takuar edhe kryeministrin Isa Mustafa dhe homologun e tij, Hashim Thaçi. Ai do të ketë takime edhe me liderë të tjerë të opozitës kosovare./m.m/