Transferimi i Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në të Fierit përbën disa shkelje të të drejtave të njeriut, thotë analisti Edvin Kulluri. Në diskutimin në “Repolitix” në Report Tv, ai i referohet ngjarjes së sotme të dërgimit të kryebashkiakut të Tiranës në spitalin e burgut, ndërsa prej 2 javësh ka kërkuar ekzaminim mjekësor për këmbën.

Kulluri kritikon edhe mosnjoftimin e Veliajt apo avokatit të tij, Plarent Ndreca, për transferimin pasi nuk bëhet fjalë për një person të zakonshëm, por një të zgjedhur me votë.

“I paraburgosuri Veliaj pretendon që ka kërkuar prej 2 javësh shtrimin në spital dhe nuk i është dhënë kjo e drejtë. Është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. I paraburgosuri ka të drejtën të njoftohet avokati i tij për transferimin e tij se nuk është top futbolli apo thes me miell. Është i paraburgosur dhe kryetar i bashkisë së Tiranës, s’mund të bëhet kjo”, tha Kulluri.

Analisti thotë se pavarësisht se vendimi për transferimin u cilësua “sekret shtetëror”, avokati dhe Veliaj duhet të njihen me të.

“Ke detyrim ta njoftosh të paraburgosurin dhe avokatin e tij me vendim. Vendim nuk ka. Është shkelje e të drejtave të njeriut. Institucioni i Burgjeve nuk i jep llogari avokatit për vendimin që merr. Ai duhet të njihet me vendimin. Përderisa avokati s’ka vendim, nuk ka vendim. Gjëja më e rëndë është komunikimi i kryeministrit me avokatin në këtë situatë. Ç’punë ka kryeministri të komunikojë me avokatin?”, përfundoi Kulluri.