Bushati: Meta, kandidat i fortë
për President, por varet nga ai

Bushati: Meta, kandidat i fortë<br />për President, por varet nga ai
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e konsideron Ilir Metën një kandidat të fortë për President.
 
Kryediplomati thekson se kandidimi i Metës do të varet nga koalicioni dhe votat që janë në Parlament.
 
“A mund të jetë kandidat, natyrisht që është kandidat i fortë për President”, u shpreh Bushati në emisionin "Debati" në Channel One, të gazetarit Roland Qafoku,
 
Bushati ka hedhur poshtë thashethemet për raportet e tij të tendosura me kryetarin e LSI dhe njëherazi kreun e Kuvendit, Ilir Meta.
 
A mendoni që pas tri vitesh qeveria ka nevojë për ndryshime, sepse jemi një vit përpara zgjedhjeve të 2017-s dhe zgjedhjes së Presidentit të Republikës?
Kjo është pyetje që mund t’i bëhet Kryeministrit dhe mund t’i përgjigjet vetëm ai.
 
PS fitoi zgjedhjet në Dibër. Ka pasur shumë debate këto kohë. Si ka mundësi që një bashki me një kryetar të shkarkuar pas një skandali seksual zgjedh një kandidat nga e njëjta parti? Çfarë do të thotë kjo?
Kandidati ynë është një mjek i nderuar intelektual, i përzgjedhur me kujdesin maksimal nga strukturat politike të PS-së në Dibër. E gjithë fushata jonë në Dibër ishte për Dibrën. Së treti, kjo ishte fushatë që kishte në qendër qytetarin, jo sloganin. Kam vënë re që Basha e shpalli veten dibran gjatë fushatës, instaloi veten atje, dëgjoja çdo ditë që Dibra do të ishte testi për rrëzimin e qeverisë dhe fillimin e një epoke të re. Ndërkohë ajo ishte thjesht fushatë lokale. Kandidati ynë kishte një element avantazhues, sepse po garonte për Dibrën me projekte për Dibrën. Të nesërmen Lulzim Basha nuk përmendi më që ishte nga Dibra, por akuzoi dibranët që ishin shitur. Por nuk çuditem sepse, siç thotë dhe zoti Meta, Basha e ka pak në stil mashtrimin.
 
Më vjen mirë që i referoheni zotit Meta. Si janë marrëdhëniet tuaja me të?
Siç kanë qenë gjithmonë që nga koha kur e kam njohur, marrëdhënie korrekte shumë të mira.
 
Si u përgjigjeni ju zërave që kanë qarkulluar edhe në media që ju si ministër i Jashtëm keni folur keq për kryetarin e Kuvendit përballë diplomatëve të huaj?
Këto nuk janë zëra, por thashetheme, edhe mediat ndahen në media serioze dhe portale, në të cilat gjen turli kombinacionesh, por nuk e merr vesh se kush e shkruan diçka. Ky është një thashethem dashakeq. Por Meta ka eksperiencë të gjatë politike, ka qenë dy herë ministër i Jashtëm, e di shumë mirë se çfarë ndodh, si funksionon shërbimi.
 
Keni miqësi me zotin Meta?
Patjetër.
 
A mund të jetë Presidenti i Shqipërisë në vitin 2017?
A mund të jetë kandidat, natyrisht që është kandidat i fortë për President, por kjo varet nga Meta, nga koalicioni, nga votat në Parlament. Një njeri që ka qenë Kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, kryetar Parlamenti, kur lexon CV dhe sheh kontributin, ai është një kandidat i fortë për President, por mendoj që politika shqiptare nuk është tek emri. Fillimisht duhet të ketë një diskutim se çfarë profili duhet ta kemi Presidentin e Republikës.
 
Po nëse Presidenti shpall zgjedhjet më përpara?
Besoj se Kushtetuta është e qartë në këtë pikë. I takon këtij Parlamenti të zgjedhë Presidentin e Republikës.
 
Si janë marrëdhëniet tuaja me Presidentin Bujar Nishani? Si i përgjigjeni asaj që në media u quajt si incident?
Marrëdhëniet tona janë institucionale, do doja të ishin edhe korrekte, përveçse institucionale.
 
Ku ka gabuar sipas jush Presidenti?
Presidenti ka zgjedhur të flasë në publik për këtë çështje, unë rezervoj të drejtën për t’ia thënë në sy, siç gjithmonë ia kam thënë në sy, për çështjet se ku duhen rregulluar marrëdhëniet. Konferencat e ambasadorëve, në të gjithë botën, janë organizuar nga ministritë e jashtme. Në 2014, ne i kërkojmë Presidentit dhe autoriteteve të tjera të presin ambasadorët. Unë kam qenë në 2014-n në krah të Presidentit, i cili i priti ambasadorët në Presidencë.
 
Pse e bëri Presidenti këtë?
Unë nuk mendoj që kjo është një çështje që ka të bëjë me mua, por dëgjova në media që kishte thënë se kjo është një kompetencë që duhet t’i takojë Presidentit.
 
A është normale që mes maxhorancës ka pasur zyrtarë të lartë që kanë folur me fjalor të papranueshëm me Presidentin, madje duke i kujtuar edhe sëmundjen?
Unë nuk di që dikush nga kolegët e PS-së të ketë abuzuar me Presidentin e Republikës, qoftë edhe duke vënë në pah këto elemente. Por jam kategorikisht kundër etiketimeve, jo vetëm të Presidentit, por çdo individi publik. Unë Presidentin e konsideroj si institucion, marrëdhënia personale është diçka tjetër. Deri ditën që do të jetë në këtë detyrë, do të respektohet nga ana ime si President.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron