BERLIN - Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili ndodhet në Berlin ka zhvilluar sot bisedime me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Të dy ministrat kanë biseduar mbi mënyrat e përforcimit dhe thellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, si në rrafshin dypalësh ashtu dhe në atë rajonal.
 
Dy ministrat ndanë shqetësimin mbi zhvillimet më të fundit në Ukrainë, pasojat e mundshme në arkitekturën e sigurisë së kontinentit evropian, si dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
 
Ministri Bushati e informoi homologun gjerman mbi avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë, rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat,  si dhe politikën dinamike dhe konstruktive të Shqipërisë në rajon.
 
Ministri Steinmeier nga ana e tij vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit, duke konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.
 
“Bashkëpunimi i Gjermanisë me Ballkanin Perëndimor përmban vlera reformuese dhe transformuese, të cilat do të ndihmojnë ankorimin e shpejtë të rajonit në rrjedhat euro-atlantike”, u shpreh Ministri Bushati.
 
Ata kanë ndarë pikëpamje lidhur me projektet e përbashkëta, që konsiderohen nga Shqipëria me rëndësi për rajonin e Ballkanit dhe që i shërbejnë më së miri shteteve të veçanta ashtu si dhe Bashkimit Evropian.
 
Në kuadër të kësaj vizite pune në Berlin, Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me  përfaqësues të partive kryesore në komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Gjerman, me kryetarin e komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut si dhe me këshilltarët për çështjet e sigurisë dhe ato evropiane në zyrën e Kancelares gjermane Merkel.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)