Bushati:Opozita kërkon alibi
për humbjen e zgjedhjeve 2017

Bushati:Opozita kërkon alibi<br />për humbjen e zgjedhjeve 2017
Për socialistët, kërkesa e PD-së për votim elektronik tregon mungesën e besimit që opozita ka ndër anëtarët e saj që e përfaqësojnë në komisione votimi dhe numërimi.

Deputeti Ervin Bushati thotë se më këtë kërkesë opozita po kërkon një alibi për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve të 18 qershorit. Në një reagim për “Shqiptarja.com” Bushati tha se qytetarët nuk mund të sigurohet se çfarë ndodh me votën e tyre brenda pajisjeve elektronike.

“Çfarë ka ndodhur me PD që nuk ka më besim, dhe do të përjashtojë nga procesi zgjedhor të gjithë: komisionerët, numëruesit dhe gjithë anëtarësinë e vet? Si do mund të besojnë më shumë kompjuterët sesa mbështetësit e tyre? Komike si situatë!

Si do t'i përgjigjet merakut të qytetarëve: "Farë ndodh me votën time brenda atyre pajisjeve?"”,-thotë Bushati. Në vijim të reagimit të tij, deputeti socialist thotë se votimi elektronik nuk është më i besueshmi, dhe kontestimi i rezultatit zgjedhor në këtë mënyrë mund të jetë më i madh. “Përdorimi i votimit elektronik jo domosdoshmërisht krijon besim.

Përkundrazi, ai kërkon besim paraprak në administrimin e zgjedhjeve nga të gjithë aktorët e përfshirë, në mënyrë që të zbatohet me sukses. Pa u adresuar plotësisht të gjitha sfidat, ato munden madje ta dobësojnë besimin e publikut te rezultatet e zgjedhjeve të dala nga një proces elektronik”,-thotë deputeti socialist.

Ervin Bushati thërret në ndihmë në këtë rast edhe argumentet e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë. “Edhe kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt shprehet qartë: se nuk ka kohë të mjaftueshme për aplikimin e teknologjisë në zgjedhjet e 18 qershorit, pasi votimi elektronik është një proces shumë kompleks”,-shprehet Ervin Bushati.

Në përfundim të mendimit të tij politik, deputeti socialist i Tiranës thotë se opozita tashmë po izolohet dhe se alibia për të justifikuar humbjen nuk dihet saktësisht se nga kush kërkohet. Po ashtu, Bushati përmend me ironi edhe nevojën e opozitës për përkthyes, duke rikujtuar debatin e gabimeve në përkthim me ligjin e vettingut. “Duket se rrethi i izolimit të opozitës po ngushtohet.  

Ajo që nuk kuptoj është se kush po e kërkon në të vërtetë alibinë për humbjen e pashmangshme të Qershorit 2017: Opozita, Partia Demokratike apo vetëm Lulzim Basha?! Opozita kërkon përkthyes. Opozita kërkon alibi”,-përfundon Ervin Bushati, deputeti socialist i Tiranës. Prej ditësh opozita po artikulon me këmbëngulje qasjen politike se, nëse nuk do të përdoret votimi elektronik, zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit nuk do të jenë të lira dhe të ndershme, duke krijuar shtratin e një qëndrimi të mundshëm të mos njohjes së rezultatit zgjedhor.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?