Bushati: Progres-raporti njeh përpjekjet e qeverisë në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe

/ATSH-Gjergji Mima/ -Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati është shprehur sot se progres raporti i Komisonit Evropian ka njohur përpjekjet dhe vullnetin politik të qeverisë shqiptare në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe dhe qëndrueshmërinë e reformave të lidhura me to.
"Raporti i Komisionit Evropian është dokumenti më i rëndësishëm i "dosjes së zgjerimit" të BE-së, i cili vlerëson ecurinë e vendeve aspirante në rrugën drejt anëtarësimit në BE", shkruan ministri Bushati në rrjetin social "Facebook".
Bushati nënvizon se, "Raporti i sivjetshëm i vlerëson këto reforma jo vetëm për gjatë një viti, por edhe në termat e gatishmërisë së vendeve të rajonit, bazuar mbi një metodologji të aplikuar për herë të parë".
"Raporti njeh përpjekjet dhe vullnetin politik të qeverisë shqiptare në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe dhe qëndrueshmërinë e reformave të lidhura me to. Në këtë mënyrë, Raporti është në vetvete një udhërrëfyes për hapat që duhen ndërmarrë nga institucionet shqiptare dhe aktorët politikë me qëllim sigurimin e mbështetjes për fillimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE", thekson ministri Bushati.
Sipas tij, "Shqipëria vlerësohet për linjëzimin e politikës së jashtme me atë të BE-së, si një aktor aktiv në rajon, marrëdhënie solide me fqinjët dhe partnere konstruktive në "Procesin e Berlinit".
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social