Bushati raporton në Komisionin e Jashtëm: Duam të jemi një vend me peshë në OSBE


Ministri i Jashtem, Ditmir Bushati gjate senaces degjimore ne Komisionin e Jashtem
TIRANË, 10 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati është paraqitur sot në një seancë dëgjimore në Komision e Punëve të Jashtme për të sqaruar pozicionin e dikasterit që ai drejton lidhur me akuzat e PD-së, se refuzimi i kryesisë të Çështjeve Komitetit të Ekonomisë pranë OSBE-së është një hap prapa i diplomacisë shqiptare dhe vjen për shkak të interesave të vogla, që lidhen me vetë Ministrin.
Sipas Bushatit, ky Komitet nuk është ndër më të rëndësishmit e OSBE-së dhe vendimi ynë nuk ndikon në rezultatet dhe marrëdhëniet e diplomacisë shqiptare.
"Mos marrja e kryesisë së Komitetit të Ekonomisë dhe Çështjeve të Mjedisit ka qenë një vendim i Ministrisë së Jashtme dhe vjen pas një analize të thelluar të strukturave të Ministrisë së Jashtme, të cilat kanë arritur në përfundimin se ky Komiteti nuk është i rëndësishëm, duke parë dhe orientimin tonë strategjik në politikat e jashtme. "\Jemi në kërkim të një vendi me peshë në OSBE, një vend i tillë që ka të bëjë me sigurinë evropiane. Komiteti për të cilin flasim është më i parëndësishmi. Më duhet të sqaroj deklaratat për refuzimin e Komitetit Ekonomik. Është spekuluar për këtë çështje. Është e drejta jonë legjitime që të kërkojmë një komitet me rëndësi. Shqipëria nuk është më në fazën post-komuniste, ndaj nuk mund të pranojnë çdo gjë me entuziazëm", tha ministri Bushati.
Sipas Kreut të Diplomacisë Shqiptare, vendi ynë është një fazë ku po punon për të luajtur një rol thelbësor në rajonin e Ballkanit dhe marrja e një angazhimi të tillë, siç ishte ai komitetit të Ekonomisë do të kërkonte resurse ekonomike dhe njerëzore të shumta dhe të cilat nuk do kthenin përfitime të mëdha.
"Komiteti i Ekonomisë dhe Çështjeve Mjedisore zakonisht i jepet vendeve të Azisë, pasi Europa ku ne jemi dhe kemi interesa stretegjik nuk ka ndonjë interes të veçantë, prandaj ne kemi kërkuar sigurinë, pasi çështja e Ukrainës, ku Shqipëria ka një qëndrim të kristalizuar është pikë e strategjisë sonë në marrëdhëniet diplomatike më vendet e tjera të BE-së, ashtu siç janë edhe të drejtat e njeriut. Ne do të ishim mjaft të interesuar të kishim kryesimin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut, pasi në Ballkan kjo çështje ka peshë të madhe", tha Bushati.
Në përgjigje të deklaratave të Bushatit, Deputeti i opozitës, Ish-Ministëri i Jashtëm, Aldo Bumçi theksoi se kërkesa për Komitetin e Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut janë thjesht për të larguar vëmendjen nga e vërteta "Ju, tha Bumçi duke iu drejtuar Ministrit Bushati, nuk e keni pranuar ofertën e OSBE-së, pasi kërkoni të largoni nga detyra ambasadorin Shqiptarë në OSBE, një personalitet me rezultatet të shkëlqyera. Ju, vijoi Bumçi, keni kërkuar të fshiheni përmes kërkesave tuaja për Komitetin e Sigurisë, pasi e dini mjaft mirë, që Anglia e ka këtë Komitet deri në fund të këtij vitit dhe Shqipëria nuk mund ta marri këtë komitet kurrsesi pasi vendi ynë nuk i plotëson të gjitha kriteret dhe së fundmi edhe komitetin e të drejtave të njeriut nuk e marrim dot, pasi atë e drejton Norvegjia dhe këtë do ta bëjë edhe për dy vite, siç e ka në marrëveshje me këshillin drejtues të OSBE-së", akuzoi Bumçi, duke sqaruar se OSBE ka vetë tre Komitete: Sigurinë, Drejtat e Njeritu dhe Ekonominë, kjo e fundit u kërkua t'i besohej Shqipërisë.
Ministri Bushati u përgjigj duke deklaruar se diplomacia shqiptare ka korrur mjaft suksese. "Ju e dini se të gjitha selitë me rëndësi të lartë për Bashkimin Europian dhe të organizatave të tjera më të cilat kemi marrdhënie vendosin selitë e tyre të komunikimit në Serbi, por tani Shqipëria po rritet nga ana diplomatike dhe tashmë kemi arritur marrëveshjen që Selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor të vendoset në Tiranë, Shqipëri, çka tregon se ne kemi ecur përpara në diplomaci dhe nuk kemi tronditur askënd, duke refuzuar komitetin e ekonomisë në OSBE", nënvizoi Bushati, duke shtuar se diplomacia shqiptare po ndjek një strategji të qartë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë të cilat formësojnë mësë miri panoramën e madhe të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë në përputhje me strategjinë tonë dhe në frymën e mirëkuptimit dhe me partnerët tanë strategjik.
Sakaq, debati në Komisionin e Punëve të Jashtme, lidhur me refuzimin e Shqipërisë për të marrë drejtimin e Komiteti të Ekonomisë dhe Mjedisit në OSBE vijoi për rreth dy orë.
Pas këtij debati, Komisioni i drejtuar nga Arta Dade vijoi me rendin e ditës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati prezantoi projektligjin e propozuar nga dikasteri që ai drejton për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin e Shërbimit të Jashtëm, që thelb shkurton disa burokracira të tepërta, që për një vend që aspiron Bashkimin Europian duhet të eliminohen. Pr/ligji në fjalë do të vijoi të diskutohet dhe nesër në komisionin e ligjeve, pasi sipas Ministrit Bushati, veç anës legjislative, ky ligj ka një impakt edhe ekonomik./a.g/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?