PARIS - Shtetet e Bashkuara e kanë kontaktuar Shqipërinë, për të organizuar në tokën e saj shkatërrimin e arsenalit kimik sirian.

Konfirmimin e parë zyrtar e bën ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati për gazetën franceze “Le Monde” pas takimit që ky i fundit pati dje në Paris me homologun e tij francez, Laurent Fabius.
 
"Por nuk kemi marrë ende asnjë vendim deri më sot. Nuk kemi zbritur as në nivelin e diskutimeve teknike”, citohet të ketë thënë Bushati.
 
Tirana po e studion ofertën me kujdes, propozimi i të cilës është bërë javën e kaluar, por detajet e së cilës nuk janë bërë ende të njohura. ‘Le Monde' më tej sjell ndër mend se si shumë vende të tjera, të afruara për këtë qëllim nga SHBA-të, kanë refuzuar, sidomos Norvegjia.
 
Por Shqipëria paraqet disa avantazhe, sidomos gjeografike, të cilat e lehtësojnë një transport të mundshëm të stoqeve kimike në rrugë detare.
 
Dhe mbi të gjitha, siç referon 'Le Monde', Shqipëria disponon një eksperiencë të veçantë në fushën e neutralizimit të arsenalit kimik. Në 2007, Shqipëria është bërë vendi i parë që ka shkatërruar gjerësisht arsenalin e trashëguar nga regjimi i diktatorit komunist, Enver Hoxha.
 
Stoqet e vetë Shqipërisë, sipas “Le Monde” afërsisht 16 ton, sidomos gaz iperik i vjetër duhet të jenë importuar në vitet ’70 nga një vend origjine i paspecifikuar. Ato u zbuluan në vitin 2002 dhjetëra kilometra larg Tiranës, në mes të qindra e mijëra bunkerëve të ndërtuara në dekadat pararendëse në gjithë vendin.

Shkatërrimi i stoqeve atëkohë u financua nga SHBA-të, me 35 milionë euro. Ishte Departamenti amerikan i Mbrojtjes që supervizoi këtë operacion.

Marrë nga "Le Monde" me shkurtime
Përgatiti: Magdalena Alla