TIRANË - “Sot, dy dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria vazhdon të cilësohet si "regjim hibrid", e ngjashme me Venezuelën dhe Azerbajxhanin se sa Europa ku duam të anëtarësohemi”. Kështu e ka nisur deklaratën e tij, anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Ditmir Bushati para mediave me rastin e 9 majit, Ditës së Europës.

Bushati ka vijuar me cilësimet se “Berisha ka dështuar për një Shqipëri demokratike”. Dhe i ka bashkangjitur kësaj provën e kokëfortësisë me të cilën Sali Berisha po u përgjigjet partnerëve ndërkombëtarë dhe se kjo është prova më e qartë se Berisha e ka bërë zgjedhjen e tij. “Por pas 23 qershorit procesi i ndërtimit të Shqipërisë europiane do të jetë përparësia kryesore.

Ndërtimi i Shqiërisë europiane do kalojë nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Ndërtimi i Shqipërisë europiane do kalojë nga çlirimi i sistemit të drejtësisë; nga çlirimi i shërbimit diplomatik prej nepotizmit në një pjesë të mirë të përfaqësive tona diplomatike, të cilat janë shndërruar në celula anti-opozitë; nga trasformimi i një sistemi arsimor që prodhon analfabetë; nga një zhvillim ekonomik që prodhon punësim e mirëqenie e jo një grusht njereëzish që prodhon pasuri për një grup njerëzish”, ka analizuar ndër të tjera Bushati.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)