Bushati takim me homologët e 
NATO-s,diskutohet kriza në Ukrainë

Bushati takim me homologët e <br />NATO-s,diskutohet kriza në Ukrainë
BRUKSEL - Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në selinë qendrore në Bruksel në datat 24 dhe 25 qershor.

Në sesion e punës së NAC, ditën e sotme, i cili iu kushtua përgatitjeve për Samitin e NATO-s në shtator, Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme shprehu konsideratat e Shqipërisë rreth zhvillimeve aktuale në kontekstin e krizës në Ukrainë. Ministri Bushati shprehu gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe mbështeti masat e marra nga Aleanca për bashkëpunimin e mëtejshëm NATO-Ukrainë. Më tej, Ministri Bushati theksoi rëndësinë që kanë partnerët, veçanërisht në aspektin operacional, përsa i përket përballimit me sukses të sfidave të sigurisë, sikundër dhe mbështeti vizionin e ardhshëm të Aleancës për t’u ofruar partnerëve më shumë mbështetje politike dhe praktike në të ardhmen.

Ndërkohë gjatë darkës së punës të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ditën e djeshme, Ministri Bushati adresoi çështjen e zgjerimit të NATO-s. Në këtë kuadër, Bushati nënvizoi rëndësinë që ka vazhdimi i politikës së Aleancës për mbajtjen hapur të dyerve të saj për vendet aspirante që janë të aftë për të përmbushur angazhimet dhe detyrimet e anëtarësimit, duke theksuar se Shqipëria mbetet një mbështetëse e fortë dhe e palëkundur e integrimit euro-atlantik të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit perëndimor. Ministri Bushati shprehur bindjen se kjo është rruga e vetme për garantimin e qëndrueshëm të sigurisë, stabilitetit dhe paqes në rajon.

Ky takim i Ministrave të Jashtëm u përqendrua kryesisht në diskutimin e tematikave që pritet të trajtohen në Samitin e  NATO-s, që do të mbahet në Uells më 4 dhe 5 shtator të këtij viti.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

FOTOLAJM/ Tavani 'në tokë', festa e Kombëtares në dhomat e zhveshjes! Fitore historike në Gjeorgji

FOTOLAJM/ Tavani 'në tokë', festa e Kombëtares në dhomat e zhveshjes! Fitore historike në Gjeorgji