Bushati takon krerët e Kosovës
'Mbledhja II thellon bashkëpunimin'

Bushati takon krerët e Kosovës<br />'Mbledhja II thellon bashkëpunimin'
TIRANË - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë. Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi takime me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministrin, Isa Mustafa, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe me subjektet politike të Lëvizjes Vetëvendosje, Nisma për Kosovën dhe AAK.

Në fokusin kryesor të kësaj vizite ishte koordinimi i mbledhjes së përbashkët midis dy qeverive që do të zhvillohet në 23 mars në Shqipëri dhe përgatitjet lidhur me bashkërendimin e kësaj mbledhjeje, të cilat zunë një vend të rëndësishëm gjatë bisedimeve të Ministrit Bushati me zyrtarët e lartë të Kosovës.

Ora 15:20 Bushati me Limaj: Kosova e Shqipëria bashkë për anëtarësimin
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Dimitir Bushati, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ka takuar edhe kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen aktuale në Kosovë dhe Shqipëri dhe për sfidat që e presin Kosovën në rrugën e saj për liberalizim të vizave

Bushati ka ripërsëritur mbështetjen që Shqipëria do ti jap Kosovës në këtë rrugë dhe po ashtu ka theksuar se do të jepet maksimumi që të dy vendet të arrijnë anëtarësimin në strukturat ndërkombëtare.

Po ashtu, Ministri Bushati ka uruar partin e Limajt për një vjetorin e themelimit dhe ka falënderuar atë për pritjen. Edhe Limaj është shprehur i kënaqur me vizitën e ministrit Shqiptar dhe e ka njoftuar atë me fazat politike në vend.

bushati limaj

Ora 14:33 Bushati takim me Haradinaj
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar gjatë dtës së sotme, Ministrin e Punëve të jashtme, Shqipërisë, Ditmir Bushati.  

Përmes një postimi në Facebook Haradinaj shprehet se me Bushatin ka diskutuar për zhvillimet e fundit, si dhe bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Shqiperisë për integrimin e metejmë si shtete me zhvillim.

"Pata kënaqësinë të pres, sot, ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati.  Me ministrin Bushati diskutuam rreth zhvillimeve aktuale në rajon, raportet midis dy vendeve tona dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe integrimit të mëtejmë midis Kosovës dhe Shqipërisë, si shtete me ndikim në zhvillimin, paqen dhe stabilitetin e rajonit. Është lajm i mirë, gjithmonë, kur përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë vijnë në Kosovë dhe anasjelltas dhe kur ne ndërtojmë bashkëpunim të veçantë dhe sa më të përafërt." shkruan Haradinaj

haradinaj bushati

Ora 13:00 Bushati me Mustafën: Liberalizimi i vizave do shtonte besimin tek qytetarët e Kosovës
Ministri i Jashtëm Bushati gjatë takimit me Kryeministrin Mustafa  u diskutua mbi zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë. Ministri Bushati shprehu vlerësimin për mënyrën e matur të veprimit për menaxhimin e situatës, si dhe ndau mendimin mbi rëndësinë e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës dhe gjetjen e  mekanizmave të duhur për parandalimin e kërkimit të azilit të pabazuar. 

Në bisedime u përforcua bindja se intensifikimi i përpjekjeve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe për përfundimin e procesit të negocimit të marrëveshjes së lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen do të shtonte besimin tek qytetarët e Kosovës në të ardhmen evropiane të vendit. 

Palët vlerësuan ecurinë e bashkëpunimit dypalësh në kuadër të Partneritetit Strategjik e në këtë kontekst, inaugurimi pak ditë më parë i zyrës së përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë u evidentua si një shembull i qartë i jetësimit të angazhimeve që burojnë nga ky dokument.

Gjatë takimeve u përshëndet rifillimi i dialogut politik Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e arritur për menaxhimin e sistemit të drejtësisë në veriun e vendit, si ngjarje që i shërbejnënormalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe  konsolidimit të sovranitetit në mbarë vendin.

Në takime u evidentua puna që po bëhet në drejtim të forcimit të standardeve demokratike në vend dhe respektimit të shtetit ligjor. Në këtë kuadër, u theksua nevoja e vijimësisë së bashkëpunimit me EULEX-in për konsolidimin e sistemit gjyqësor dhe drejtësisë, që janë elementë të një rëndësie parësore për demokracinë dhe procesin e integrimit Evropian të Kosovës.

bushati mustafa

Ora 12:05 Bushati me Thaçin: Kosova ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati është takuar ditën e sotme me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë.

Në një konferencë të përbashkët pas takimit, Ministri i Jashtëm Bushati ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, si për në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik.

Bushati tha se inkurajon qeverinë e re të Kosovës që të vazhdojë ta përmbyllë procesin e liberalizimit të vizave. Ministri Bushati më tej tha se kanë biseduar edhe për bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e sigurisë.

Ndërkohë nga ana e tij, Thaçi tha se bashkëpunimi bilateral mes Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë më efektiv në të ardhmen. Në takimin e përbashkët që do të mbahet më 23 mars Thaçi tha se do të rriten bashkëpunimet politike, shoqërore dhe në fusha tjera mes Kosovës dhe Shqipërisë.

bushati thaci

Ora 11:30 Bushati takim me Jahjagën: Partneriteti Strategjik i dha hov bashkëpunimit dypalësh
Presidentja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin bisedoi për zgjerimin e bashkëpunimit dhe perspektivën evropiane të të dyja vendeve si dhe të rajonit të Evropës Juglindore.

Presidentja Jahjaga dhe ministri Bushati theksuan rëndësinë e përmbylljes së kapitujve në procesin e integrimeve evropiane dhe të thellojnë bashkëpunimin rajonal si një prej kushteve të rëndësishme në rrugën e integrimeve. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se është e domosdoshme që Kosova të ruajë hapin e saj në proceset integruese dhe të shtojë angazhimin e saj në fusha të ndryshme, posaçërisht në energjetikë e infrastrukturë, që njëkohësisht janë edhe projekte rajonale.

Presidentja Jahjaga theksoi se bashkëpunimi rajonal është i përcaktuar edhe nga dinamika e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përmes procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, dhe tha se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet edhe nga përmbushja e obligimeve dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit.

Ministri i punëve i jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati theksoi se të gjitha vendet e rajonit, përfshirë dhe Kosovën, kanë perspektivë evropiane dhe ato duhet të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre përmes projekteve të përbashkëta, që do të ndihmojë edhe zhvillimin e përgjithshëm të të gjithë rajonit. Ai tha se Shqipëria do të jetë përkrah Kosovës dhe do ta mbështes atë në çdo fushë dhe në proceset integruese.  

bushati jahjaga
FOTO

Bushati të premten në Kosovë takim me Jahjagën dhe Mustafën
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati do të zhvillojë të premten një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të pritet nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa.

Vizita zhvillohet një ditë pasi në Prishtinë u njoftua zyrtarisht data e mbajtjes së mbledhjes së dytë të përbashkët të qeverive të Shqipërisë e Kosovës, e cila pason mbledhjen e parë historike në Prizren të 11 janarit 2014.

Kryeministri kosovar, Mustafa në mbledhjen e djeshme të kabinetit qeveritar ka kërkuar nga ministrat që të përshpejtojnë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë, cila do të zhvillohet në Shqipëri në 23 mars 2015.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia