Ish-nënkryetari i PD, Astrit Patozi, ka reaguar pas përurimit të shtatores së Azem Hajdarit sot në Tropojë. Patozi shkruan në ‘facebook’ se nderimi i vërtetë për Azem Hajdarin shkon përtej asaj shtatoreje, e cila prej sot do të zbukurojë sheshin e vendlindjes së tij.

Duke u rikthyer 20 vite pas në kohë, ish-deputeti demokrat tregon momentet e udhëtimit të vështirë të ’97, kur ishte në autokolonë vetëm një makinë pas Azem Hajdarit. Më tej, Patozi shton se kanë rrjedhur shumë ujëra që nga ajo kohë, por Azem Hajdari mbetet guxim për çdo njeri të lirë, që bën betejë për vlerat që beson

"NDERIMI I VËRTETË PËR AZEM HAJDARIN. Në Tropojë kisha qenë për herë te fundit në verën e 1997-ës. Ishte fushatë dhe mbaj mend që isha në autokolonë vetëm një makinë pas Azem Hajdarit. Ka qenë udhëtim i vështirë dhe plot tension, në sintoni me kohën e vështirë që kalonte Shqipëria. Pak më shumë se 20 vjet më vonë, sot e pashë sërish Azemin në qendër të Bajram Currit, të derdhur në bronz.

Shumë ujëra kanë rrjedhur që atëherë, rruga është e qetë dhe pa të papritura, por jeta nuk është asnjëherë e lehtë dhe paqja nuk vjen vetëm atëherë kur nuk ka luftë. Nderimi i vërtetë për Azem Hajdarit shkon përtej asaj shtatoreje, e cila prej sot do të zbukurojë sheshin e vendlindjes së tij. Ai është në fakt një ftesë për kurajo dhe guxim për çdo njeri të lirë, që bën betejë për vlerat që beson", shkruan Patozi.

patozi fb
(Postimi i Astrit Patozit)

d.c./shqiptarja.com