Skandali që Shqiptarja.com mund ta dokumentojë u zbulua duke krahasuar përgjigjen zyrtare që na ka ardhur në redaksi nga Ministria e Kulturës pas insistimit një javor dhe duke përdorur ligjin për trasparencën, dhe raportin paraprak dorëzuar në prokurorinë e Sarandës në datë 3 tetor nga oficer i policisë Gjyqësore.
Në fakt, Ministria e Kulturës, në një komunikim zyrtar me Report TV e Shqiptarja.com ka deklaruar se sipërfaqja e objektit që ia ka dhënë me qira kompanisë private Hako është veçse 116 metra katror. “Objekti në fjalë është një përshtatje e ngrehinës ekzistuese, të ndërtuar në Butrint në vitet 1975 dhe mbulon një sipërfaqe prej 116m2 (objekt+platforma e verandës)” shkruan Ministria. Nje version i konfirmuar personalisht nga Mirela Kumbaro gjiate intervistes televizive ku ka ngulur kembe duke treguar qe ''ndertesa + sheshi i pushimit shkon rreth 100 metra katrore''.
Por nga vëzhgimi në terren i zhvilluar në datën 2 tetor nga grupi i punës të ngritur nga Prokuroria e Sarandës del një situatë krejt ndryshe: “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u konstatua se në krahun lindor të Kalasë në një objekt një katësh ekzistues i ndërtuar me mur guri dhe i mbuluar me soletë betoni, po kryeheshin ndërtime rehabilitimi të këtij objekti. Objekti ishte me tre ndarje me përmasa 16x4m dhe para objektit ka shesh pushimi të shtruar me beton (...). Shesh pushimet para objektit kanë përmasa 16x7m dhe 15x3m të shtruar me beton ....”, shkruan në raport oficeri i policisë gjyqësore,
Po të llogaritësh përmasat e objektit që jep raporti del se objekti vetë me përmasa 16x4m ka sipërfaqe 64 metra katror, ndërsa sheshet janë: i pari 16 x 7m = 112 metra katror dhe i dyti 15 x 3m = 45 metra katror. Si përfundim shuma e gjithë sipërfaqes del 64m + 112m + 45m = 221 metra katror. Pra nga siperfaqja e parashikuar në kontratën prej 116 metra katrore, firma HAKO nën vezhgimin e Ministrisë së Kulturës me sa duket ka pushtuar realisht brenda parkut arkeologjik të Butrintit një siperfaqe prej 221 metra katore, ose 105 metra katrore me shumë.
Në fakt për të dhënë me emfiteozi një sipërfaqe mbi 200 metra katore pa konkurrim si është bërë në rastin e firmës Hako, ministria e Kulturës e kishte për detyrë sipas VKM nr. 54 dt 5.2.2014 të firmosur nga kryeministri Edi Rama, për të bërë një konkurim publik, gjë që konkretisht nuk ka ndodhur.
Si ka vepruar me shpejtësi Shteti në rastin e punimeve pa leje në Këlcyrë, po pritet që edhe në këtë rast, përpara një ndërtim pa leje dhe pushtimi 105 metra katrore të pronës publike brenda një parku arkoelogjik te mbrojtur nga UNESCO, Shteti të reagojë sa me shpejt. Po per fatin e keq, sipas raportit të prokurorisë së Sarandës, pavarësisht faktit që në datë 2 tetor policia e ardhur në vendngjarje ka urdhëruar pezullimin e punimeve, punimet kanë vazhduar me një mosvperim flagrant nga ana e istitucioneve që duhet të kontrollonin. Ato jane pezulluar vetëm pas daljes në media të skandalit dhe pas një urdhër te Mirela Kumbaros.
Prokuroria e Sarandës po vazhdon me investigimin, duke pritur nga ministria kopjen e kontratës me firmën Hako, pikërisht për të vërtetuar sa sipërfaqje është dhënë me qira, por deri tani ministria ende nuk e ka dorëzuar. Prokuroria ka dy hipoteza: ose firma Hako ka shkelur ligjin, duke pushtuar një sipërfaqe më të madhe se sa kishte të drejtë, dhe në këto raste bëhet fjalë për veprër penale, pra për një ndërtim pa leje dhe një vjedhje të pronës publike; ose ministrja ka shkelur ligjin duke dhënë me qira pa konkurim një sipërfaqje më të madhe se sa 200 metra katrorë, që është limiti mbi të cilin VKM e detyron te bëjë një konkurim publikë. Në këto raste bëhet fjalë për vepër penale e shpërdorim detyre.
Përgjigja e Ministrise se Kultures per Report Tv, ku deklaron siperfaqja e objektit eshte 116 m2.
Raporti i prokurorise ku theksohet se ne Butrint po punohet ne nje siperfaqe 221 m2, pra 105 m2 me shume
D.T/Shqiptarja.com