Shqyrtimi dhe votimi nen për nen i buxhetit të vitit 2016 ka përfunduar dje me komisionin e ekonomisë. Ai pritet të votohet nen për nen në seancën e ditës së nesërme.

Votimi pritet të shoqërohet me diskutime të gjata, teksa situata jashtë sallës plenare nuk parashikohet të jetë e qetë. Partia Demokratike planifikon të pamundësojë miratimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm gjatë seancës së Kuvendit të enjten.

I cilësuar nga demokratët si buxheti i varfërisë dhe mjerimit ekonomik, deputetët e opozitës do tentojnë dështimin e seancës me qëllim bllokimin e miratimit të buxhetit, dokumenti më i rëndësishëm dhe me impakt të drejtpërdrejtë në punën e qeverisë por edhe në jetën e qytetarëve.

Por seanca e të enjtes do të shënojë përballjen e fortë mes mazhorancës dhe opozitës, me të parët të cilët kanë forcën e kartonit dhe të dytët që do përdorin çdo mjet për rrëzimin e buxhetit.

Por për të shmangur çdo “surprizë” të mundshme, mazhoranca është përgatitur për çdo skenar të opozitës dhe është e vendosur për miratimin në tërësi të buxhetit të shtetit seancën e të enjtes.

Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dje në mesditë. Ka qenë vetë kryetari i PS dhe njëherazi kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka kërkuar që të mos mungojë asnjë deputet në seancë.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi ka insistuar që deputetët e PS të mbajnë të gjithë fjalime në mbrojtje të buxhetit dhe të qëndrojnë në seancë deri në momentin e votimit, nisur nga presioni i opozitës për rrëzimin e buxhetit.

Opozita ka thërritur protestën e radhës të enjten, por këtë herë ajo do të mbahen përpara parlamentit. Deputetët e Partisë Demokratike do të ndahen në dy grupe.

Një pjesë e tyre do të qëndrojnë me protestuesit ku do të bëhen thirrje për largimin e qeverisë dhe grupi tjetër brenda foltores së Kuvendit, ku do të tentohet bllokimi i miratimit të buxhetit.


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )