Buxheti i vitit 2017 ka përplasur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë Ministren e Arsimit Lindita Nikolla me deputetët e Partisë Demokratike.

Deputeti Ridvan Bode akuzoi se janë rritur ndjeshëm çmimet e librave dhe shërbimeve arsimore, ndërkohë që kanë ardhur në ulje shpenzimet buxhetore në këtë sektor.

Ndërsa deputetja Jorida Tabaku tha se për herë të parë në 25 vite buxheti mbulon vetëm për 9 muaj pagat e pedagogëve, duke ua lënë vetë universiteteve sigurimin e 3 muajve të tjerë.

“Për herë të parë pas 25 vitesh në Shqipëri në mënyrë të përvitshme rritja e çmimeve të librave sidomos të klasës së parë dhe të arsimit të fillor është mbi 10 % dhe për herë të parë ndodh që në indeksin e inflacionit, inflacioni sektorin e arsimit të jetë në krye”, tha Ridvan Bode.
 
Ndërsa Jorida Tabaku u shpreh: “ Sipas programit buxhetor afatmesëm tarifat e arsimit të lartë të parashikuar nga ministria të paktën deri vitin tjetër rriten me 30 %. Transferta e pakushtëzuar siguron pagat vetëm për 9  muaj të universiteteve publik.”
 
Ministrja hodhi poshtë akuzat për rritjen çmimesh dhe tha se kishin qenë vetë mësuesit ata që me votim të fshehtë nxorën nga qarkullimi 600 libra jashtë standardeve. Sipas saj, standardet aktuale të arsimit janë certifikuar nga institucione ndërkombëtare, të cilat kanë konstatuar përmirësim të këtij sektori në çdo drejtim.

“Ku e shikoni ju që rriten tarifat me 30 %? Si e interpretoni që në buxhetin afatmesëm ne shikojmë që do të rriten tarifat me 30 %, ku e shikoni? Ky është një turp, prapë një gënjeshtër e madhe sepse ligji i ri për arsimin e lartë as nuk ul dhe as nuk rrit tarifat, ligji i ri për arsimin e lartë adreson gjithë këtë përgjegjësi te universitetet. Të thuash që rritëm çmimin e teksteve, apo ulëm çmimin e teksteve duke futur në sistemin arsimor 1130 tekste për 600 prej të cilave vetë mësuesit votuan me votë të fshehtë dhe thanë jo, nuk janë tekste që u duhen fëmijëve shqiptarë, po këtë dëm kush e llogarit?”, u shpreh Lindita Nikolla.

Nikolla raportoi në Komision se Buxheti i Ministrisë për vitin 2017 është 52 milionë dollarë, dhe në të është parashikuar rritja e pagave për mësuesit, si dhe reformat në arsimin e mesëm e universitar.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com