Janë hapur qendrat e votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku këtë të martë, më 3 nëntor, mbahen zgjedhjet e mesmandatit. Votimi ka nisur në orët e para të mëngjesit, fillimisht në Vermont, dhe është shtrirë gradualisht në shtetet e tjera amerikane.

Sipas CNN, deri në orën 14:20 me orën shqiptare, votimi kishte nisur në të paktën 27 shtete. Rreth 250 milionë amerikanë kanë të drejtë vote, ndërsa mbi 57 milionë e kanë hedhur votën e tyre paraprakisht, sipas të dhënave të Universitetit të Floridës.

Por çfarë po votojnë amerikanët dhe pse kanë rëndësi këto zgjedhje?

Amerikanët nuk po votojnë për presidentin, pasi Donald Trump është në mandatin e tij të dytë. Ata po zgjedhin anëtarët e Kongresit, institucionit që përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

Në këto zgjedhje do të përcaktohen të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, 35 vende në Senat dhe guvernatorët e 36 shteteve.

Aktualisht, republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. Nëse demokratët fitojnë shumicën në njërën ose në të dyja dhomat, ata do të kenë më shumë mundësi të pengojnë ose të ndryshojnë nismat e presidentit Trump që kërkojnë miratimin e Kongresit.

Demokratëve u duhen edhe tri vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe katër vende në Senat. Sipas përmbledhjes së sondazheve të CNN, ata hyjnë në ditën e zgjedhjeve me një avantazh prej 9 pikësh në sondazhet kombëtare për Kongresin.

Vëmendja është përqendruar te disa shtete ku garat janë veçanërisht të rëndësishme për kontrollin e Senatit, mes tyre Alaska, Iowa, Maine, Ohio, Teksasi, Michigani, Xhorxhia dhe Kansasi.

Ekonomia, rritja e çmimeve, emigracioni dhe politika e jashtme kanë qenë ndër temat kryesore të fushatës. Veçanërisht çmimet e karburanteve janë kthyer në shqetësim për amerikanët pas nisjes së luftës me Iranin në shkurt.

Përpara zgjedhjeve, Trump u kërkoi amerikanëve t'u jepnin republikanëve të njëjtën mbështetje që i dha atij mandatin e dytë presidencial.

“Këto janë zgjedhjet e mesit të mandatit më të rëndësishme, besoj, gjatë jetës sonë. Për një arsye apo një tjetër, partia e presidentit në detyrë nuk i fiton zakonisht zgjedhjet e mesmandatit, por ne bëmë një përpjekje shumë të fortë”, deklaroi Trump.

Ndërkohë, procesi zgjedhor po monitorohet nga rreth 1 mijë monitorues federalë në të 50 shtetet. Në disa zona janë raportuar edhe probleme, përfshirë mosfunksionimin e skanerëve të votave në qarkun Westchester të Nju Jorkut dhe zhvendosjen e qendrave të votimit në Florida për shkak të përmbytjeve.

Kur do të mësohen rezultatet?

Qendrat e para të votimit pritet të mbyllen në orën 00:00 të së mërkurës, 4 nëntor, sipas orës shqiptare. Për shkak të zonave të ndryshme kohore në SHBA, qendrat e tjera do të mbyllen gradualisht gjatë natës dhe orëve të mëngjesit në Shqipëri.

Numërimi do të nisë pas mbylljes së qendrave përkatëse të votimit. Rezultatet do të publikohen gradualisht, ndërsa në garat e ngushta mund të duhet më shumë kohë për të përcaktuar fituesit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:25
Zgjedhjet në SHBA/ Mbi 100 ish-astronautë të NASA-s apel amerikanëve: Votoni për të mbrojtur demokracinë!

Mbi 100 ish-astronautë të NASA-s u kanë bërë thirrje amerikanëve të votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, duke paralajmëruar për rreziqet që kërcënojnë demokracinë dhe parimet kushtetuese të vendit.

Në një letër të hapur, të publikuar nga organizata Astronauts for America, ata theksojnë se asnjë president apo agjenci federale nuk ka të drejtë të marrë kontrollin e administrimit të zgjedhjeve në shtetet amerikane.

“Çdo amerikan duhet të ketë besim se zgjedhjet zhvillohen sipas ligjit, se çdo votë e ligjshme numërohet dhe se rezultatet përcaktohen nga procedurat ligjore, jo nga presioni politik apo ushtrimi arbitrar i pushtetit”, thuhet në letër.

Mes nënshkruesve janë figura të njohura si Scott Kelly, Rusty Schweickart, Charles Bolden, Bill Nelson dhe Ellen Ochoa. Mesazhi përbën edhe një kritikë të tërthortë ndaj përpjekjeve të Donald Trump për të ndërhyrë në administrimin e zgjedhjeve.

Ora 16:13
Donald Trump: Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e SHBA! Nëse amerikanët lodhen prej meje, shkoj kryeministër në Izrael

Presidenti amerikan Donald Trump i ka cilësuar zgjedhjet e mesmandatit që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara si më të rëndësishmet në historinë e vendit.

Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se administrata e tij ia ka dalë ta bëjë Amerikën sërish të madhe, duke sugjeruar se slogani i tij i njohur, “Make America Great Again”, mund të mos jetë më i nevojshëm.

“Më lejoni t'ju them se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, sepse ne ia kemi dalë vërtet ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, deklaroi presidenti amerikan.

Sipas Trump, Shtetet e Bashkuara janë tashmë një vend i fuqishëm dhe i respektuar në mbarë botën, ndaj edhe slogani që e shoqëroi gjatë fushatave të tij elektorale mund të konsiderohet i tejkaluar.

“Nëse njerëzit në Shtetet e Bashkuara do të lodheshin ndonjëherë prej meje, do të shpërngulesha në Izrael dhe do të bëhesha kryeministër”, u shpreh Trump.

Ora 16:01
Zgjedhjet në SHBA/ Mbi 2.4 milionë qytetarë në Miçigan kanë votuar para kohe, pjesëmarrja arrin në 33%

Mbi 2.4 milionë amerikanë kanë votuar përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve në Miçigan, një nga shtetet ku zhvillohet një prej garave më të rëndësishme për kontrollin e Senatit amerikan.

Rreth 1.7 milionë votues kanë dorëzuar fletët e votimit me postë, ndërsa mbi 750 mijë të tjerë kanë votuar fizikisht në qendrat e hapura për votimin e parakohshëm.

Kjo do të thotë se rreth 33% e 7.4 milionë votuesve të regjistruar në Miçigan e kanë ushtruar të drejtën e votës përpara hapjes së qendrave të votimit këtë të martë, në orën 07:00 sipas kohës lokale.

Për krahasim, në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, deri në ditën e zgjedhjeve ishin dorëzuar 1.5 milionë vota me postë, ndërsa numri përfundimtar arriti në 1.8 milionë, nga gjithsej 4.5 milionë vota të hedhura.

Në atë kohë, Miçigani nuk e ofronte ende mundësinë e votimit të parakohshëm fizik, e cila u miratua përmes një referendumi në vitin 2022.

Ndërkohë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, rreth 1.2 milionë qytetarë votuan paraprakisht në qendrat e votimit dhe 2.2 milionë me postë, duke e çuar në 3.4 milionë numrin e përgjithshëm të votuesve që kishin votuar përpara ditës së zgjedhjeve.

Pjesëmarrja më e lartë në vitin 2024 lidhet edhe me faktin se zgjedhjet presidenciale zakonisht tërheqin më shumë votues sesa zgjedhjet e mesmandatit.

Ora 15:50
Kush do të kontrollojë Kongresin amerikan? Këto janë oraret kur pritet të zbardhen rezultatet e zgjedhjeve ne SHBA me orën e Shqipërisë

Nga Nju Jorku deri në Alaskë, mbyllja e qendrave të votimit dhe numërimi i votave për zgjedhjet e mesmandatit, në të cilat zgjidhen edhe drejtues për shumë poste vendore në shtete të ndryshme, do të zhvillohen përgjatë gjashtë brezave orarë. Qendrat e para të votimit që do të mbyllen do të jenë ato në lindje të vendit, në Kentaki dhe Indiana, në mesnatë sipas orës italiane (në vijim, të gjitha oraret do të jenë sipas orës shqiptare, shën. red.), dy shtete që vështirë se do të japin tregues vendimtarë.

Një orë më vonë do të fillojnë të mbërrijnë rezultatet e para nga Florida, Xhorxhia, Karolina e Jugut, Virxhinia dhe Vermonti. Karolina e Jugut është një nga garat që duhen ndjekur me vëmendje për kontrollin e Senatit. Në orën 01:30 do të jetë radha e Ohajos, ku zhvillohet një nga përballjet më të rëndësishme, Virxhinias Perëndimore dhe Karolinës së Veriut.

Mes orës 02:00 dhe 03:00, nata zgjedhore do të hyjë në fazën e saj më intensive, me mbylljen e qendrave të votimit në shtete kyçe si Miçigani, Meini, Kansasi dhe Ajova, si edhe në Nju Jork, Uiskonsin, Ilinois dhe Minesota. Një orë më vonë do të fillojnë të mbërrijnë të dhënat nga Arizona, Montana dhe Kolorado. Pra, do të jetë rreth orës 04:00 kur disa prej garave mund të japin tregues të rëndësishëm.

Nëse tabloja ende nuk do të jetë e qartë apo domethënëse, do të duhet të pritet deri në orën 06:00, kur mbyllen qendrat e votimit në bregun perëndimor, në shtete si Kalifornia.

Etapa e fundit do të jetë në orën 07:00, me mbylljen e qendrave të votimit në Alaskë, një shtet që mund të rezultojë vendimtar për Senatin, nëse gara nuk do të jetë përcaktuar tashmë diku tjetër.

Ora 15:46
Përmbytjet godasin zgjedhjet në SHBA, zhvendosen urgjentisht 18 qendra votimi në Florida! Moti i keq prek edhe shtete të tjera

Moti i keq po krijon probleme në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Në Florida, për shkak të rrezikut nga përmbytjet, autoritetet njoftuan zhvendosjen urgjente të 18 qendrave të votimit në shtatë qarqe, vetëm 45 minuta përpara hapjes së tyre. Probleme janë regjistruar edhe në Arizona, ku disa qendra votimi u mbyllën përkohësisht, ndërsa në Utah, votuesit e qarkut San Juan janë lejuar të kërkojnë dhe dorëzojnë fletët e votimit në mënyrë elektronike. Në Kolorado është zhvendosur një qendër votimi, ndërsa reshjet po prekin edhe Iowa, Kansas dhe Teksasin. Gjatë ditës priten stuhi edhe në shtete të tjera, me rrezik për erëra të forta dhe tornado të shkurtra në disa zona.

Ora 15:44
'Është mashtrim elektoral', Trump akuzon demokratët në Alaskë: Futën në garë një kandidat me të njëjtin emër si rivali republikan për t’i marrë votat!

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar demokratët për mashtrim elektoral në Alaskë, pasi u zbulua se bashkëpunëtorë të kandidates demokrate për Senatin, Mary Peltola, kishin rekrutuar një kandidat me të njëjtin emër si senatori republikan Dan Sullivan. “Ajo që ndodhi në Alaskë është turp. Është mashtrim elektoral”, deklaroi Trump për Fox News, duke shtuar: “Nëse republikanët votojnë, do të fitojmë me një diferencë dërrmuese”. Sipas New York Times, bashkëpunëtorët e Peltolës kishin rekrutuar Dan J. Sullivan Jr., një mësues në pension, për të krijuar konfuzion mes votuesve, ndërsa kandidatja demokrate ishte në dijeni. Megjithëse kjo praktikë nuk është e paligjshme, Trump ka kërkuar heqjen e Peltolës dhe kandidatit tjetër nga fletët e votimit dhe ndjekjen e tyre ligjore. Guvernatori republikan i Alaskës, Mike Dunleavy, ka urdhëruar nisjen e një hetimi.

Ora 15:40
Zgjedhjet në SHBA/ Probleme me skanerët e votave në Nju Jork, ngadalësohet procesi zgjedhor! Autoritetet: Çdo votë do të numërohet

Probleme teknike me skanerët e fletëve të votimit kanë shkaktuar vonesa në qendrat e votimit në qarkun Westchester të Nju Jorkut, ku po zhvillohet një garë e ngushtë mes republikanit Mike Lawler dhe demokrates Cait Conley për Dhomën e Përfaqësuesve.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, njoftoi se autoritetet po punojnë për zgjidhjen e problemit, duke siguruar qytetarët se votat e tyre do të numërohen.

“Votuesit mund të vazhdojnë të plotësojnë dhe dorëzojnë fletët e votimit në mënyrë të sigurt. Votat tuaja do të numërohen”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, të dy kandidatët u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në radhë dhe të mos largohen pa votuar.