Buxheti 2025/ Si do të shpërndahen 8 miliardë euro! Fjala e plotë e ministrit të Financave Petrit Malaj

Ministri i Financave Petrit Malaj gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2025 në Kuvend, u shpreh se buxheti i këtij viti është i lartë se ai i një viti më parë dhe në total është 8.2 miliardë euro. Malaj bëri me dije edhe sektorët ku do të përqëndrohen investimet.  

Fjala e plotë në Kuvend e ministrit të Financave Petrit Malaj:

Fjala e Ministrit – Projektbuxheti 2025 – Miratimi në parim. E nderuar Kryetare e Kuvendit, Të nderuar deputetë, Të dashur qytetarë,

Sot është një ditë e rëndësishme për qeverinë Rama, një ditë e rëndësishme për kuvendin dhe deputetët, dhe për mua është përgjegjësi e madhe t’ju përcjell dokumentin më të rëndësishëm të financave shqiptare, për të diskutuar dhe miratuar në parim, projektbuxhetin për vitin 2025.

Me shumë modesti dhe mirëkuptim dëshiroj që përmes fjalës sime t’iu drejtohem më së shumti qytetarëve.

Bashkë të nderuar deputetë, por edhe me kolegët e mi ministra apo edhe drejtues të insitucioneve të pavarura, gjatë këtyre ditëve kemi zhvilluar diskutime të gjata, në komisionet parlamentare.

Kemi marrë me dhjetra pyetje, qofshin këto me dëshirën për t’u informuar më në detaj, por edhe hera - herës me vrullin për të linçuar apo për të lëshuar akuza e baltosje, që shpesh shkojnë përtej shifrave të shkruara e zeza në të bardhë.

Ndaj sot do të dëshiroja t’ju drejtohesha të gjithë qytetarëve shqiptarë, për t’ju shpjeguar se si konkluduam ne te ky buxhet, çfarë përmban ai dhe sesi do të shpenzohet çdo lek i këtij projektbuxheti.

Ne jemi këtu sot për të mbështetur çdo shqiptar me një projektbuxhet shumë më të lartë se ai i vitit 2013, pra me një total prej rreth 8.2 miliardë euro ose thënë ndryshe një buxhet 2 herë më i madh se sa para 10 vitesh.

Të dashur qytetarë,

Ne hartuam këtë projektbuxhet, mbi analizën dhe vlerësimin se ekonomia shqiptare sot është më e fortë se më parë, pavarësisht të gjitha “turbulencave” me të cilat jemi hasur, pavarësisht të gjitha sprovave.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u përshpejtua në 3.9%, ndërsa presim që kjo tendencë të vijojë edhe më tej.

Pothuajse të gjithë sektorët kryesorë kanë performuar pozitivisht, duke konfirmuar një rritje me bazë të gjerë. E kam fjalën këtu për shërbimet, ndërtimin, por edhe për një rritje të fortë të sektorit të turizmit dhe shërbimeve të tjera të lidhura me të, falë një interesi të shtuar për Shqipërinë, tashmë jo një “qoshkë” e izoluar, por një destinacion i konfirmuar nga të gjitha tregjet e huaja.

Sot, besimi i konsumatorëve dhe i biznesit është rritur. Ndjesia ekonomike është qartazi mbi mesataren historike.

Të gjitha këto zhvillime na bëjnë ne që t’i besojmë një skenari optimist, duke riishikuar me rritje projeksionet tona për rritjen ekonomike të këtij viti në 3.9% nga 3.7% që parashikonim në vjeshtën e vitit të kaluar.

Ekonomia shqiptare po prodhon, po krijon më shumë vende të reja pune. Në fund të vitit 2024 pritet që papunësisa të shkojë në nivelin 10.2%, dhe për vitin 2025 parashikimet janë që norma e papunësisë të zbresë në 9.8% të forcës aktive për punë, duke shënuar për herë të parë në këto tre dekada një normë papunësie një-shifrore.

Pagat në sektorin publik janë rritur ndjeshëm dhe ne treguam se dimë të bëjmë realitet çfarë themi duke cuar pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro. Edhe sektori privat ka të gjitha hapësirat për të ndjekur një vizion të tillë, pasi ekonomia jonë do të duhet të bëhet gjithnjë e më tërheqëse, dinamikat e zhvillimit janë të vrullshme dhe në këtë mënyrë do të mund të adresonim edhe më lehtë një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballemi, atë të demografisë.

Inflacioni, pavarësisht luhatjeve të diktuara nga faktorët e jashtëm, është rikthyer brenda intervalit të përcaktuar nga BSH, 2-4%.

Investimet e Huaja Direkte gjithashtu u rritën. Trendi pozitiv vazhdoi edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, me një rritje prej 8.1%.

Flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, sektorin e ndërmjetësimit financiar, atë të hidrokarbureve, energjitikës dhe komunikacionit.

Stoku i rezervës valutore të vendit në fund të qershorit 2024 arriti në rreth 5.5 miliardë euro, ose ekuivalent me rreth 6.4 muaj importe mesatare vjetore në mallra dhe shërbime, pra një nivel mëse adekuat për të amortizuar impaktet negative në rast të ndonjë goditjeje të pa parashikueshme makroekonomike.

Një tjetër aspekt që dua të nënvizoj është përmirësimi i qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Gjendja dhe qëndrueshmëria e financave publike ka qenë gjithnjë nën kontroll të plotë dhe padyshim ky proces vijon të jetë i bazuar në një monitorim të vazhdueshëm dhe një menaxhim të kujdesshëm makrofiskal, duke adresuar me efikasitet çdo problematikë potenciale.

Është arritur një progres mjaft i qenësishëm në konsolidimin fiskal. Në vitin 2023, regjistruam një balancë primare pozitive prej 0.7%, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul sërisht ndjeshëm me 6.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 57.5%,  nivelin më të ulët që nga viti 2008.

Institucionet ndërkombëtare konfirmuan gjithashtu besimin te ekonomia shqiptare. Agjencitë prestigjioze të rankimit Standard & Poors dhe Moody's, ndryshuan për lart vlerësimet për ekonominë shqiptare.

Të dashur qytetarë,

Projektbuxheti 2025 është një dokument që është hartuar nga një skuadër që për vite me radhë punon me përkushtim duke parë me kujdes të gjithë parametrat për të mos prishur ekuilibrat, për të ruajtur balancat dhe për të mos rënë në pre e “kurthit” të populizmave .

Por, ky nuk është buxheti i Ministrisë së Financave. Ky është buxheti i të gjithëve ne.

Ky është buxheti i një socialisti që jeton në mes Tiranës, e ky është edhe buxheti i një demokrati që jeton në fqinjësi të mirë me të. Ky është buxheti i një shqiptari që jeton në veri apo në jug, në lindje apo perëndim.

Ky është buxheti i 2.4 milionë shqiptarëve, të cilët jetojnë brenda kufijve të saj;

Ky është buxheti që mbështet fermerët;

Ky është buxheti që mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;

Ky është buxheti që mbështet produktet “made in Albania”;

Ky është buxheti që mbështet të rinjtë që idetë e tyre duan t’i kthejnë në biznese të rëndësishme, nëpërmjet fondeve “ start-up”;

Ky është buxheti që financon me prioritet rrugët që tashmë nuk janë vetëm kombëtare, por janë pjesë e korridoreve europiane duke mundësuar një ndërlidhje më të shpejtë me shtetet fqinje e si rrjedhoje me të gjithë EU;

Ky është buxheti që do të përmirësojë aksesin te shërbimet më të nevojshme të jetës sonë të përditshme;

Ky është buxheti që përmes përmirësimit të planifikimit urban do të synojë qarkullim të shtuar dhe një infrastrukturë më të sigurt;

Ky është buxheti i politikave më të mira arsimore, punësimit dhe aftësimit profesional;

Ky është buxheti që garanton më shumë siguri dhe rend;

Ky është buxheti që i garanton mbrojtjes standarde më të larta, si vend anëtar në NATO;

Ky është buxheti që garanton më shumë mbështetje për ruajtjen e kulturës, traditës, zhvillimit të artit;

Ky është buxheti i infrastrukturës dhe logjistikës që garanton një turizëm më të qëndrueshëm dhe të prezantuar denjësisht në arenën botërore;

Ky është buxheti që synon t’ju garantojë më shumë strehim social familjeve të reja apo edhe atyre me më pak mundësi.

Të dashur qytetarë,

Projektbuxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale, përmes :

Një balance primare Pozitive.

Reduktimit të borxhit publik, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB nga 56.3%  i pritshëm për vitin 2024.

Një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qëndrore, duke realizuar një balancë korrente pozitive prej 3.6% të PBB-së.

Për sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë të programimit makro-fiskal për vitin 2025, parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të  kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, përfshirë edhe eksportin e mallrave, por sërisht me një rol të veçantë të eksporteve të shërbimit të lidhura kryesisht me sektorin e turizmit.

Lidhur me risqet për periudhën afatmesme, vlerësojmë se ato mbeten përgjithësisht të balancuara dhe të menaxhueshme. Në tërësi vlerësojmë se perspektiva afatmesme e ekonomisë sipas skenarit tonë bazë mbetet inkurajuese dhe se ka një probabilitet të lartë për t’u materializuar.

Ndaj, në vijim më lejoni të paraqes parashikimet e të ardhurave dhe shpenzimeve të projektbuxhetit për vitin 2025:

TË ARDHURAT

Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.

Të ardhurat tatimore parashikohen të arrijnë në 709.8 miliardë lekë, dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat në 449 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, planifikohen të jenë 168.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2024, të ardhurat tatimore rriten me 0.6 % e PBB-së ose 54 miliardë lekë. 

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë projektuar bazuar në analizën e trendit historik shumëvjeçar të tyre, realizimit të pritshëm në vitin 2024 dhe faktorizimit të të gjithë elementëve që do ndikojnë në të ardhurat e vitit 2025 përfshirë efektet nga:

-              rritja ekonomike,

-              indeksi i çmimeve,

-              politikat fiskale,

-              si dhe të ardhurat shtesë nga miradministrimi.

Bazuar në projeksionet tona, nga këta faktorë, efektet në të ardhura te tatimet, doganat dhe kontributet, janë:

●  15.2  miliardë lekë nga miradministrimi tatimor dhe doganor;

●   14.8 miliardë lekë shtesë nga rritja ekonomike;

●   9.2 miliardë lekë shtesë nga efekti i politikave fiskale dhe politikat buxhetore të pagave.

Siç shihet, për herë të parë burimi kryesor i rritjes së të ardhurave vjen nga miradministrimi dhe ulja e informalitetit.

Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se Ministria e Financave është në fazën e finalizimit të draft-Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave për periudhën 2024-2027. Miratimi është programuar të bëhet brenda muajit Dhjetor 2024 dhe përbën një parakusht që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të dokumentit të politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027” me Bashkimin Europian.

Objektivi i draft Strategjisë është rritja e të ardhurave tatimore me rreth 65 miliardë lekë deri në vitin 2027, ku peshën kryesore e kanë masat që do të ndërmerren nga miradministrimi tatimor dhe doganor.

Theksoj se kjo draft strategji nuk parashikon rritje të normave tatimore, duke krijuar kështu një stabilitet fiskal për shoqëritë tregtare deri në vitin 2027.

SHPENZIMET

Shpenzimeve për vitin 2025 janë parashikuar në masën 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e vitit 2024.

Investimet publike përgjatë 2025-2027 do të jenë rreth 6.2%, me një përqëndrim te ato me rëndësi strategjike, të lidhura me Planin e Rritjes së BE.

Shpenzimet e personelit – Reflektojnë politikën e rritjes së pagave ( 2023-2024) dhe që shtrin efektet dhe për vitin 2025 me kosto shtesë prej rreth 40 miliardë lekë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror planifikohen në masën 127.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2025 janë parashikuar në masën 71.3 miliardë lekë.

Në këtë zë është programuar mbështetja e politikave më prioritare të qeverisjes qendrore, si skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për arsimin dhe sportin, etj.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë.

Subvencionet shtetërore për vitin 2025 janë fokusuar te nxitja e punësimit, ujësjellës-kanalizimet, shpenzime për veprimtarinë hekurudhore, etj.

Shpenzimet e fondeve speciale  - Fondi i Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore, kompensimin në vlerë  i ish-pronarëve - 263.8 miliardë lekë ose rreth 6% më shumë se një vit më parë:

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025 parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB.

Qeveria shqiptare do të vijojë ruajtjen e vlerës së pensioneve nëpërmjet indeksimit, por njëkohësisht programohen fondet e nevojshme për bonusin e fundvitit për pensionistët, niveli i të cilit do të jetë i lidhur me performancën e ekonomisë në tërësi dhe performancën buxhetore të shtetit, me qëllim final sigurimin e më shumë të ardhurave për pensionistët. Përtej këtyre parashikimeve, sikurse jeni në dijeni, po vijon puna për rishikimin e skemës së pensioneve me qëllimin final ofrimin e një pensioni të denjë që i përgjigjet akoma dhe më shumë nevojave të kësaj shtresë e cila gëzon gjithë mbështetjen dhe angazhimin tonë.

Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2025 janë parashikuar në masën 63.1 miliardë lekë ose 8.7% më shumë se një vit më parë. Kjo skemë reflekton rritjen e pagave në këtë sektor për rreth 18,800 mjekë e infermierë me kosto rreth 5.7 miliardë lekë në vit, si dhe rritjen e tavanit për rimbursimin e barnave në masën 12.6 miliardë lekë, ose 600 milionë lekë më shumë se viti i kaluar.

INVESTIMET PUBLIKE

Për vitin 2025  do vijojnë të ruajnë një peshë të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, për sa kohë që nevoja për zgjerimin dhe përmirësimin e cilësisë së aseteve publike mbetet e lartë. Ato planifikohen në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit, si dhe 4.5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE. Në planifikimin e investimeve për vitin 2025 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025 parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.

Ndër projektet më të rëndësishme për infrastrukturën rrugore dhe zhvillimin urban përmendim:

•             Korridorin e 8 nga Elbasan në Lekaj;

•             By passi i Elbasanit;

•             Zgjerimi i Autostradës Tiranë-Durrës arteria me e rëndësishme industriale e vendit;

•             Rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa,;

•             Berat–Ballaban;

•             Korridori i 8 nga Elbasan ne Qafë Thanë;

•             Projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11.3 miliardë lekë;

•             Projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 17.6 miliardë lekë.

Për Arsimin Parauniversitar alokohen rreth 2.9 miliardë lekë investime për:

•             ndërtime dhe rehabilitime të shkollave;

•             pajisje laboratorike;

•             sisteme ngrohje etj..

Në sektorin e Shëndetësisë vijon financimi me prioritet për:

•             Rehabilitimin e 100 objekteve të tjera të Qendrave Shëndetësore dhe ambulanca, me një fond prej 186 milionë lekë për vitin 2025;

•             Rikonstruksioni i Maternitetit Shkodër me vlerë të plotë 200 milionë lekë;

•             Rikonstruksioni i Maternitetit Fier me vlerë të plotë 443 milionë lekë.

Do të vijojë financimi i Rindërtimit me 5 miliardë lekë.

Sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe mbrojtja sociale janë parashikuar me rritje krahasuar me buxhetin e vitit 2024, përkatësisht:

▪              Arsimi +6.4 miliardë lekë (+64 Mio EUR);

▪              Shëndetësia +4 miliardë lekë (+40 Mio EUR);

▪              Mbrojtja Sociale +10 miliardë lekë (+100 Mio EUR);

▪              Bujqësia +673 milionë lekë.

ARSIMI

- Shpenzimet totale të sektorit – 853 milionë euro/3.3% në raport me PBB. Ky sektor ka marre 64 Milionë EUR më shumë se viti 2024. 

- Rritja e pagave ( 2023- 2024) :

Paga mesatare e mësuesit në arsimin parauniversitar  arrin në mbi 103 mijë lekë në muaj (99 mijë lekë në muaj për mësuesit në shkollat 9 vjeçare dhe 107.3 mijë lekë në muaj  për mësuesit në shkollat e mesme).

Krahasuar me vitin 2013 paga mesatare e kësaj kategorie është rritur me rreth 46,500 lekë në muaj ose 76.4% më shumë.

Krahasuar me rajonin – Shpenzimet ne kete sektor ndaj totalit shpenzimeve buxhetore (10.1%) janë më të larta se Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.

Politikat prioritare:

•             Ofrimi i teksteve shkollore falas për rreth 240 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë dhe për rreth 16 mijë nxënës nga shtresa sociale në nevojë në arsimin e mesëm dhe të lartë;

•             Ofrimi i bursave financiare apo kuotës ushqimore/financiare për 3,000 nxënës me nevoja të veçanta;

•             Sigurimi i shërbimit të transportit falas për rreth 33,000 fëmijë dhe për rreth 17,300 mësues;

•             Mbështeteje për Institucionet e Arsimit të Lartë dhe Kërkimin Shkencor në masën 11.55 miliardë lekë.

Për arsimin profesional dhe tregun e punës synohet:

o             Punësimi nga programet e nxitjes së punësimit të grave dhe vajzave në 1,363 me një kosto prej 385 milionë lekë;

o             150 të rinj përfitues të nismës Garancia Rinore me një kosto prej 200 milionë lekë;

o             7,500 të trajnuar në Qendrat e Formimit Profesional Publik me një kosto prej 338 milionë lekësh.

Sporti: Mbështetje financiare për rreth 25 federata sportive dhe rritja e numrit të sportistëve të licencuar.

Shëndetësia

 - Shpenzimet sektoriale – 763 milionë euro ose 2.9% e PBB-së. Ky sektor ka marrë 40 Milionë EUR më shumë se viti 2024.

- Reforma e pagave ( 2023-2024) :

Paga mesatare për një mjek - 150 mijë lekë në muaj (mjeku specialist 174 mijë lekë në muaj dhe mjeku i përgjithshëm 131.6 mijë lekë në muaj)

Paga mesatare për një infermier - 87 mijë lekë në muaj;

Krahasuar me 2013 -  Rritje mbi dyfish të pagave respektive.

Politikat Prioritare :

•             Mbështetjen e mbi 400 mijë qytetarëve për rimbursimin e barnave falas me kosto 12.6 miliardë lekë; 

•             Programet e parandalimit të sëmundjeve në kujdesin parësor, nga të cilët do të përfitojnë analiza dhe kontrolle periodike falas mbi 492 mijë qytetarë/ vit;

•             Programet e mbrojtjes së shëndetit publik, nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit dhe imunizimit të fëmijëve: mbi 190 mijë fëmijë dhe 250 mijë qytetarë.

Mbrojtja Sociale

 - Shpenzimet për vitin 2025 parashikohen në 248.1 miliardë lekë ose 9.5% e PBB-së. Ky sektor ka marrë 100 Milionë EUR më shumë se viti 2024.

Krahasuar me rajonin, shpenzimet për këtë sektor, në raport ndaj totalit shpenzimeve buxhetore jane më të larta ose barabarta me vendet e rajonit.

Ndër prioritetet kryesore që parashikohet të financohen në këtë fushë përmendim:

●             Përveç skemës së pensioneve, nga e cila përfitojnë rreth 730 mijë pensionistë nëpërmjet indeksimit dhe bonusit të fundvitit, dhe së shpejti me nivele më të larta pensioni.

●             62 mijë familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike, për të cilët alokohen rreth 72 milionë euro; ku sërish vijohet me politika për aktivizimin e tyre në tregun e punës, aty ku është e mundur.

●             164 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët respektiv, me një fond prej 181 milionë euro;

●             Alokohen rreth 800 milionë lekë për pagesën e personave që dalin përkohësisht nga tregu i punës, duke ofruar jo vetëm një pagesë në përputhje me standardet e ILO-s, por edhe kurse aftësimi profesional në mënyrë që të ri-integrohen sa më shpejt në tregun e punës;

●             1.4 miliardë lekë për kompensimin e ish të përndjekurve politikë, duke e rritur mbështetjen për këtë kategori me 200 milionë lekë më shumë se viti 2024, për të kulmuar me 2 miliardë lekë në vitin 2027. Ky trend rritës dëshmon edhe njëherë seriozitetin e Qeverisë, e cila ka shlyer tashmë plotësisht të gjithë ish të përndjekurit politikë që jetojnë dhe do të vijojë me ritme akoma dhe më të shpejta për të shlyer plotësisht trashëgimtarët e tyre;

●             2.25 miliardë lekë bonusin e bebes për 33 mijë fëmijë të porsalindur;

●             745 milionë lekë për Strehimin Social ku do të vijojë zbatimi i skemës për mbështetje me kredi të familjeve të pastreha, përfshi këtu edhe skemën e re me norma interesi të lehtësuara për rreth 1,000 të punësuar në administratën publike.

Bujqësia

Shpenzimet – Rreth 146 milionë euro ose 0.6% të PBB.  Ky sektor ka marrë 673 Milionë Lek më shumë se viti 2024.

Politikat kryesore:

•             Skema kombëtare e fermerëve dhe e subvencionimit të naftës, me një fond total 4.3 miliardë lekë në vitin 2025, i cili parashikohet në rritje përgjatë 2026-2027 duke kulmuar në 5 miliardë lekë.

•             Siguria Ushqimore dhe Mbrojtja e Konsumatorit - fuqizimi i sistemit të kontrollit dhe inspektimit në të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë;

•             Investime në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse me një fond total prej 1.9 miliardë lekë;

•             “Mbështetjen për Peshkimin” - një buxhet prej 527 milionë lekësh.

Drejtësia

Për sa i përket shpenzimet buxhetore për sektorin e drejtësisë, kam kënaqësinë të deklaroj se këto shpenzime kanë njohur rritje të konsiderueshme që nga startimi i reformës në Drejtësi në vitin 2016.

Shpenzimet -  Në vitin 2025 parashikon rreth 27 miliardë lekë ose rreth 143 milionë euro më shumë se në vitin 2016.

Numri i punonjësve – Me rritje me rreth 1,700 punonjës krahasuar me vitin e startimit të reformës.

Vëllimi i investimeve publike është dyfishuar, duke arritur në 3 miliardë lekë. Investimet e parashikuara në projekt buxhetin e vitit 2025 për këtë sektor janë:

●             Zhvillimi i një sistemi të ri të menaxhimit të çështjeve gjyqësore;

●             Ngritja dhe Ndërtimi i Institucionit  për edukim dhe rehabilitim të të miturve me vlerë 626.2 milionë lekë;

●             Ndërtimi i Institucionit të ri të Ekzekutimit të Vendimit Penal Kukës me financim për vitin 2025 prej 240 milionë lekë.

Rendi dhe Siguria

Më shumë mbështetje buxhetore për të garantuar një siguri publike me standarde europiane. Shpenzimet të parashikuara në nivelin 42.3 miliardë lekë.

Politikat prioritare që do financohen janë:

●             Sigurimi i kushteve të përshtatshme të rreth 5,500 të dënuarve burra;

●             Riintegrimi nëpërmjet zhvillimit të programeve për 360 të dënuar;

●             Ofrimi i ndihmës juridike falas për rreth 5 000 individë;

●             Mbikqyrja në mënyrë efektive 7,000 burra, 800 gra dhe 200 të mitur gjatë shërbimit të provës;

Mbrojtja

Për sektorin e Mbrojtjes garantohet respektimi i angazhimit të shtetit Shqiptar ndaj NATO-s për mbajtjen e shpenzimeve për sektorin e Mbrojtjes në nivelin 2% të PBB.

Në vitin 2025, Ministria e Mbrojtjes do të përfitojë rreth 52.4 miliardë lekë ose rreth 2.2 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.

Në këtë buxhet, një vëmendje e veçantë vijon t’i kushtohet financimit të përballimit të emergjencave civile duke alokuar 5.4 miliardë lekë në total ose 54 milionë euro, ku rreth 2.3 miliardë lekë kalojnë si transfertë e kushtëzuar për këtë qëllim tek Bashkitë. Në të njëjtën kohë, kemi ndërmarrë hapa konkretë ligjorë dhe institucionalë për adresimin e çështjeve që lidhen me ndryshimet klimatike, të cilat në një të ardhme të afërt do të orientojnë politikat buxhetore në zvogëlimin apo shmangien e këtyre efekteve.

Kultura

Shpenzimet për sektorin e kulturës shkojnë në 12.1 miliardë lekë;

Prioritetet:

●             Rritja e numrit të objekteve të trashëgimisë arkitektonike dhe peisazhit të restauruara dhe mirëmbajtura;

●             Rritja e aksesit të publikut në Muze, Monumentet e kulturës dhe Parqe - në 235 mijë turistë në vitet 2025-2027;

●             Restaurimi, rikonstruksioni, riformulimi i Linjës muzeore në Muzeun Historik;

 

Turizmi dhe mbrojtja e mjedisit

Ky sektor do të financohet me 7 miliardë lekë ose 0.3% të PBB dhe do të fokusohet ndër të tjera edhe në:

●             Diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor duke promovuar gjerësisht Shqipërinë në komunitetin ndërkombëtar si një destinacion i denjë për të konkurruar globalisht;

●             Ofrimi i incentivave për rritjen e numrit të bizneseve në sektorin e agriturizmit;

●             Arritja e përmirësimeve të matshme të cilësisë së ajrit sipas përcaktimeve në strategjinë kombëtare të ajrit;

●             Përmirësimi i performancës së menaxhimit të integruar të mbetjeve;

Buxheti Vendor

Shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2025 janë parashikuar në masën 89.8 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% në raport me buxhetin e vitit 2024.

Të ardhurat e veta të pushtetit vendor për vitin 2025 parashikohet të rriten me rreth 3.6 miliardë lekë ose 10% më shumë. Reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të vazhdojë të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor. Në buxhetin e vitit 2025, kjo taksë është parashikuar në vlerën 8.6 miliardë lekë dhe krahasuar me vitin 2024, rreth 2 miliardë lekë më shumë të ardhura për njësitë vendore.

Mbështetja që ka dhënë qeverisja qendrore për Bashkitë pasqyrohet në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila për vitin 2025 është në masën 26.2 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2024 është rritur në vlerën 1.8 miliardë lekë, ose 7.6% më e lartë.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2025 në masën 26.2 miliardë lekë do të shtohen edhe fondet prej 13.2 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, 200 milionë lekë grant performance si dhe 3.5 miliardë lekë transfertë për rritjen e pagave, duke e çuar totalin e transfertës nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në 43.1 miliardë lekë.

Transferta e pakushtëzuar për çdo bashki në vitin 2025 do të jetë me rritje mesatare në nivelin rreth 8.2% dhe për qarqet me një rritje mesatare në nivelin rreth 3%.

Nese do te konsideronim edhe transfertat e kushtezuara qe cdo bashki do te marri nga Ministrite e linjes, buxheti total i pushtetit vendor per vitin 2025 do të jetë 105.4 miliardë leke ose mbi 1 miliardë EUR. Ky buxhet i krahasuar me vitin 2024 është 20 % më i lartë ose ne terma monetar 189 milionë EUR  më shumë.

Dëshiroj të ndalem tek respektimi i një nga rregullave fiskalë të sanksionuar në ligjin organik të buxhetit, ai i mbajtjes së pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP brenda nivelit prej 5% të totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Ky rregull për projektbuxhetin 2025, sikurse dhe për vitet e kaluara, respektohet rigorozisht duke rezultuar me pagesa buxhetore që kapin vlerën 2.2% të totalit të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm.

Ky rregull vijon të respektohet rigorozisht edhe për vitet 2026 dhe 2027, ku përqindja e pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP ndaj totalit të parashikuar të të ardhurave tatimore të një viti më parë, ulet respektivisht në 1.7% dhe 1.5%.

Dëshiroj të theksoj gjithashtu se numri i kontratave aktive koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore është në ulje (10 të tilla), ndërkohë që shumica dërrmuese e projekteve koncesionare/PPP të kontraktuara apo planifikuara për të filluar gjatë vitit 2025 bazohen në skemën e tarifimit të shërbimit/ përdorimit të asetit nga përdoruesit fundorë, duke mos implikuar kësisoj pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit.

Të nderuar qytetarë,

Në përfundim të fjalës sime më lejoni të theksoj edhe një herë, se në “zemër” të këtij projektbuxheti qëndron vizioni për një Shqipëri me një ekonomi më të fortë dhe sociale.

Në çdo vendim të marrë, prioriteti ynë kryesor ka qenë përfitimi i drejtpërdrejtë i çdo shqiptari.

Ky është buxhet juaj!

Së bashku, po ndërtojmë një Shqipëri më të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme, një vend të sigurt dhe më të respektuar.

Ndaj, të nderuar deputetë, Ju ftoj që ta votoni Buxhetin e të gjithë shqiptarëve, buxhetin që i jep jetë shumë investimeve, që synon integrimin më shpejtë të Shqipërisë, që na e bën ekonominë shqiptare më të integruar, jo vetëm në tregun rajonal, por dhe më gjerë.

Ju faleminderit!

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë