Me 10 kuba, nga një për çdo miliard euro, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka zgjedhur të shpjegojë Buxhetin e vitit 2027, i cili nesër pritet të marrë miratimin përfundimtar në Kuvend.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Malaj është ndalur te mbështetja sociale, nga bonusi mujor për pensionistët te ndihma për familjet me bebe dhe studentët në nevojë. Ministri e cilëson buxhetin e vitit të ardhshëm si më socialin në histori.

“Si ndërtohet buxheti i shtetit? Këtë herë e shpjegojmë me 10 kuba. Nga një për çdo miliard euro. Nga bonusi mujor për pensionistët te mbështetja për familjet me bebe dhe studentët në nevojë. Kështu e ndërtojmë Shqipërinë europiane që duam për fëmijët tanë. Duke u dhënë më shumë mundësi për të mësuar e për t’u rritur dhe duke u qëndruar pranë familjeve kur kanë më shumë nevojë”, shkruan Malaj.

Buxheti i vitit 2027 kalon për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove në shpenzime. Të ardhurat parashikohen në 907,9 miliardë lekë, ndërsa rritja ekonomike në rreth 4%.

Për pensionistët janë parashikuar 24 miliardë lekë shtesë, ku përfshihet dyfishimi i bonuseve dhe indeksimi i pensioneve në prill.

Investimet publike do të kapin vlerën e 202 miliardë lekëve, ndërsa bashkitë do të kenë në dispozicion rreth 114 miliardë lekë. Rritje të fondeve parashikohet edhe për trashëgiminë kulturore, me 80%, dhe sportin, me 73%.

Projektbuxheti, i miratuar në parim më 18 nëntor, do të hidhet në votim përfundimtar nesër, më 26 nëntor, në seancën plenare që nis në orën 10:00. Së bashku me buxhetin do të votohet edhe paketa fiskale, e cila përfshin ndryshime në pesë ligje tatimore.