TIRANE- Vitin e kaluar shteti shqiptar ka paguar dëmshpërblime për largime nga puna pas vendimeve gjyqësore, po aq sa për ilaçe në të gjitha spitalet shtetërore. Nga analiza e të dhënave të transaksionet e thesarit për vitin 2015, bazuar në motorët e kërkimit të Open Data, rezulton se shteti shqiptar, administrata qendrore dhe ajo lokale, kanë harxhuar 4,3 miliardë lekë për ilaçe dhe materiale mjekësore, konkretisht për 7,282 fatura blerjesh.

Ndërsa, për ekzekutim te vendimeve gjyqësore për largim nga puna janë paguar nga thesari i shtetit 3,3 miliardë lekë të reja, ose thënë sipas rasteve, ka paguar plot 4,278 raste për pushime nga puna për të cilat gjykata ka vlerësuar se kanë qenë të padrejta. Veç këtyre pagesave ndaj përfituesve, shteti shqiptar ka paguar shpenzime gjyqësore në vlerën 487 milionë lekë të reja, për 1,791 fatura të prodhuara gjatë proceseve gjyqësore. Fatura e ilaçeve dhe ajo e shpenzimeve kryesore janë dy pagesat më të majme që ka ekzekutuar gjatë vitit që lamë pas shteti shqiptar.