TIRANE- Pas bllokimit prej dy muajsh të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, dhe ngërçit të krijuar pas problematikave të paraqitura nga Prefektura e kryeqytetit, Këshilli Bashkiak do të propozojë ridiskutim të buxhetit 2014. Në një deklaratë për mediat kreu i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, Aldrin Dalipi, tha se në mbledhjen e radhës të Këshillit më 30 prill, këshilltarët e mazhorancës do të propozojnë të paraqitet serish në rendin e ditës diskutimi i buxhetit 2014 për Tiranën. Duke qenë se ky buxhet u miratua me konsensus në mbledhjen e 26 shkurtit 2014, Dalipi thotë se përpjekja për të bllokuar këtë buxhet duke krijuar një situatë konflikti, është thjesht politike.
 
“Buxheti i 2014 është votuar me konsensus. I ka kaluar për konfirmim prefektit. Kam shpresuar në zgjidhjen e situatës, dhe bashkëpunimin me bashkinë për ndryshimin e situatës. Por deri më sot kemi dëgjuar vetëm ankesa, dhe përpjekja për ta kthyer situatën në një situatë konflikti. Ata që e vuajnë janë qytetarët e Tiranës, pasi jetojnë në një qytet pa buxhet për ta.  Në emër të këshillit bashkiak të Tiranës, mazhoranca që kryeson votimin në këtë Këshill, do të propozojë që në 30 prill të paraqitet në rendin e ditës dhe diskutohet serish buxheti 2014 dhe kryesisht reflektimet e kërkuara nga institucioni i Prefektit. Do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje që për buxhetin e qytetarëve, që kërkojnë zgjidhe, qytetarët preken nga konfliktet e sajuara politike.

Votimi i buxhetit ka qenë i konsideruar historik dhe është mbështetur në daljet e tyre publike edhe nga kryeministri, edhe nga kreu i parlamentit. Dëshira e anëtareve ka qenë që Tirana në çdo çast të kishte buxhetin e vet. Duam t'i kthejmë buxhetin qytetarëve të Tiranës larg konflikteve të buxhetit’, tha kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)