Buzëqeshja e romëve

Buzëqeshja e romëve
Vetëm duke e lexuar kalvarin e 15 familjeve rome në zemër të Tiranës dhe të kap një trishtim e dhimbje për ato gra e fëmijë që prej muajsh hidhen nga një cep në tjetrin, të përbuzur e të tallur nga institucionet shtetërore. Mendoni të ishte në ato kushte seicili prej nesh. E megjithatë, - shihet edhe në fotot e fiksuara dhe të transmetuara te Shqiptarja.com, - në sytë e buzët e këtij komuniteti, dallohet buzëqeshja.

Mesa duket e ka imagjinuar veten “në vend të tyre” Avokati i Popullit Igli Totozani, i cili, në këto ditë të ftohta dimri, u ka hapur dyert e zyrës, duke i vënë me çadra në oborrin e institucionit me emrin domethënës. Gratë e fëmijët mund të flenë në sallën e pritjes së popullit, derisa të gjendet një zgjidhje. Ky është një gjest civil e zemërgjerë nga ana e Avokatit të Popullit.

Problemi i sistemimit të romëve është gjithmonë një shqetësim për qytetet e mëdha. Në Evropë qytete si Roma, apo Parisi, përballen me sistemimin e tyre prej vitesh dhe jo gjithmonë ia dalin me sukses. Në Tiranë bëhet fjalë vetëm për 15 familje dhe do të ishte në nderin e strukturave shtetërore dhe Bashkisë së Tiranës, t’u gjente një zgjidhje dinjitoze e shembullore; kështu romët, me kulturën dhe traditat e tyre, të mos shihen si një bezdi, por një pasuri për kryeqytetin.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim