By Pass-et e Fierit e Vlorës
nuk respektohen afatet

By Pass-et e Fierit e Vlorës<br />nuk respektohen afatet
Një auditim i kryer nga Ministria e Financave në vitin 2016 lidhur me projektin infrastrukturor me vlerë 53 milionë euro të By pass-it Vlorë arrin në përfundimin se realizimi i tij në afat është në rrezik.

Sipas raportit zyrtar të Ministrisë, sipërmarrësi i punimeve, kontraktori “Serenissima Construction”, nuk ka realizuar kontratën e projektit sipas grafikut të punimeve, ndërkohë që rrezikon realizimin e projektit në përmbushje të afatit dhe të vlerës së kontratës.

Ndërkohë që ka kaluar 60% e kohës kontraktore, Ministria konstaton se në momentin e auditimit janë kryer vetëm 4% e punimeve. Auditi fajëson edhe Autoritetin Rrugor Shqiptar se nuk ka ndërhyrë në kohë për ta paralajmëruar kompaninë “Serenissima Construction” për prishje të kontratës për mosrespektim të afateve.

Ministria konstaton se paralajmërimi i parë dhe i fundit i bërë më datë 13.06.2016 për “Prishje të kontratës nga Punëdhënësi”, rezulton në kohën kur kishte kaluar rreth 50% e kohës kontraktore dhe punimet në fakt rezultojnë në masën rreth 4%, kundrejt detyrimit në masën rreth 55% të punimeve.
Mosveprimi në kohën e duhur për zbatimin e penaliteteve deri në prishjen e kontratës, ka rritur riskun e mosrealizimit të kontratës. 

By Pass Vlorë
Në muajin mars 2015 është nënshkruar marrëveshja mes kompanisë “Serenissima Construction International” dhe Autoritetit Kombëtar të Rrugëve për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës. Ish-ministri i Infrastrukturës Haxhinasto deklaroi me atë rast se ky projekt është i rëndësisë së lartë, i cili do të ndërtohet brenda standarteve evropiane.

“Ndërtimi i kësaj vepre më në fund do t’i japë frymëmarrje lëvizjes në qytetin e Vlorës, si dhe do të përmirësojë qarkullimin në jug. Zona e Vlorës është një ndër zonat me potenciale të mëdha dhe ky projekt do ta ndihmojë më tej”- ka deklaruar ish-kreu i Transporteve.
Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Serenissima Construction International”, Giuseppe Nardi, shprehu angazhimin se do të punohet sipas standardeve bashkohore dhe projekti do të përfundojë brenda afateve.

Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe është financuar nga BERZH, me një fond prej 53 milionë eurosh. Kjo kontratë është nënshkruar për punimet që do të zgjasnin 30 muaj. Pra, duhej të përfundonin në shtator të këtij viti. Gjurma ka qenë miratuar nga qeveria Berisha dhe kalon sipër kodrave të Vlorës, për të kaluar në Orikum, për të lehtësuar trafikun e bregdetit.

By Pass Fier
Por nuk është vetëm ky segment i rëndësishëm rrugor që është “lënë në baltë” nga kompania italiane. Kompania italiane “Serenissima Costruction” ka fituar edhe tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e By-Passit të Fierit, duke nënshkruar kontratën me Autoritetin kompetent Rrugor më 18 mars 2013, gjatë qeverisë Berisha. “Serenissima” qysh kur fitoi tenderin në Shqipëri vendosi t’ia nënkontraktojë një pjesë të punimeve disa shoqërive, ndër të cilat CAE Sh.P.K. Nënkontraktorët deri më sot rezultojnë tetë.

“Në rastin e CAE sh.p.k që në bazë të detyrimeve kontraktuese duhet të kishte kryer punimet me mjetet dhe punëtorët e saj, përvoja ka provuar të kundërtën dhe Serenissima Costruzioni është detyruar, edhe pse pa dëshirën e saj, te zgjidhe Kontratën e Nënkontraktimit me këtë të fundit për arsye të mos përmbushjeve të mëdha të detyrimeve kontraktuese, ndër të cilat, vonesat e rëndësishme të kësaj në dorëzimin e veprës, përkundër kërkesave të vazhdueshme”, sqaroi “Serenissima Costruzioni” në qershor të vitit të kaluar. Kompania shton se, për faj të CAE, “Serenissima” ka zyrtarizuar zgjidhjen e kontratës më 27 prill 2016.

By Pass-i i Fierit është një autostradë interurbane midis qyteteve të Fierit dhe Levanit, me gjatësi afërsisht 22 km. Sipas të dhënave të Autoritetit Rrugor Shqiptar, By Pass-i është pjesë e korridorit të rëndësishëm Veri – Jug (nga Lushnja në Vlorë), për të cilin disa sektorë janë ndërtuar ose janë në ndërtim e sipër. Sipas afateve, rruga duhet të kishte përfunduar që në shtator 2015. Aksi rrugor kalon në perëndim të Fierit, midis qytetit dhe vijës se bregut.

Lartësia e rrugës është pozicionuar përgjithësisht nga 2–5 m nga sipërfaqja e tokës dhe 8 m nga ky nivel në rastin e kryqëzimeve në disnivel.
Janë parashikuar gjithashtu shumë nënkalime për sigurimin e vazhdueshmërisë e trafikut lokal. Fondi limit për ndërtimin e këtij aksi rrugor ka qenë 60 milionë euro, ndërsa vlera e prokuruar e objektit është 39.87 milionë euro. Punimet civile janë financuar nga BERZH dhe BEI, ndërsa supervizioni i punimeve financohet nga Kooperacioni Italian.

Problemet
Por, në shtator 2016 në Kuvendin e Shqipërisë, ministri i Financave Arben Ahmetaj pranoi se punimet në By Pass-et e Fierit dhe Vlorës janë bllokuar si pasojë e problemeve që firma sipërmarrëse ka me nënkontraktorët e vet.

Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ai tha se “një nga problematikat kryesore të “by pass”-it të Fierit është edhe kostoja e ulët joreale e tenderimit dhe çështja kryesore ka të bëjë me kontraktorët dhe nënkontraktorët. Të dyja “by pass”-et janë në tryezë për bisedime intensive të qeverisë për zgjidhje”, deklaroi ministri kur u diskutua Akti Normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit.

Sipas qeverisë, problemi lindi që me deklarimin e shumës, që premtoi fituesi për ndërtimin e rrugës. By passi i Fierit, gjatë projektimit, u vlerësua se do të kushtonte rreth 60 milionë euro, të gjitha të financuara me kredi. Por në tenderin e zhvilluar, kompania italiane “Serenissima” ofroi kryerjen e punimeve për më pak se 40 milionë euro, 20 milionë më pak se sa fondi limit.

Ndërkohë, jo vetëm që punimet janë bllokuar, por dega e kompanisë sipërmarrëse në Shqipëri, “Serenissima Costruzioni Tirana”, deklaroi bilanc me humbje prej 156 milionë lekësh (rreth 1.1 milionë euro) për vitin 2015, pasi pati deklaruar humbje prej 166 milionë lekësh të tjera në vitin 2014.

Kompania duket se është në paaftësi paguese pasi në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë regjistruar praktika për bllokimin e aksioneve të kompanisë nga kompani përmbarimore të cilat po përpiqen të mbledhin detyrime të ndryshme të prapambetura.
Në të dy segmentet ka patur herë pas here protesta të punonjësve të mashtruar, të cilëve kompanitë u detyrohen shumë muaj pagë.
 
Kontratat
Me sa duket, këto dy nyje tejet të rëndësishme për rrjetin rrugor kombëtar do të kenë fatin e rrugës Tiranë-Elbasan, që iu nënshtrua rinegociimit. Edhe këtu, kompania greke fituese “Actor” doli me një shifër shumë më të ulët se limiti i kërkuat nga qeveria shqiptare.

Por, pas të papriturës së rrëshqitjeve masive në Ibë, ajo nuk ishte në gjendje të përfundonte projektin. Tashmë së fundi Kuvendi votoi për një fond shtesë prej 35 milionë eurosh, që ngjalli debat në komisione, por në fund u miratua.

E gjithë kjo shtron pikëpyetjen për seriozitetin e projekteve, si dhe të kontraktorëve që vijnë në Shqipëri, të cilët, edhe në kushtet kur institucionet ndërkombëtare i disbursojnë fondet, nuk janë në gjendje të kryejnë punët e rëna dakord. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS