By-Pass-et Fier e Vlorë presin OK
e bankave nga BE

Burime nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pohojnë se janë në pritje të procedurave për hapjen e tenderit për përfundimin e punimeve në dy nyje të rëndësishme rrugore nacionale: By-Pass-it Fier dhe atij të Vlorës.

Fituesi i të dy tenderave ishte kompania italiane Serenissima, e cila pati probleme me ndryshimin e pronësisë në vendin e saj, duke ndërprerë edhe punimet në Shqipëri.

Në një intervistë dhënë në prill 2017 për Shqiptarja.com, drejtori i përgjithshëm i ARRSH Dashamir Xhika deklaroi se, ndërkohë që punimet në Vlorë janë ende në fazë fillestare, ato të Fierit janë ndërprerë kur pjesa më e madhe është kryer. “Mjaftojnë 2-3 muaj që të përfundojë By-Pass-i i Fierit”, tha ai.

Por, duke qenë investime të rëndësishme në infrastrukturë, që financohen nga by banka kryesore evropiane, natyrshëm qeveria shqiptare është e detyruar të marrë mendimin edhe të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Bankës Evropiane të Investimeve. Për më tepër, që ARRSH, si autoritet kontraktor shqiptar, kërkon edhe të përshpejtojë procedurat e garës, duke e reduktuar atë në një fazë të vetme, ndërkohë që rregullisht duhet të kryhen dy faza.
 
Kompania
Në kohën kur Serenissima aplikoi dhe fitoi tenderat për ndërtimin e By Pass-eve të Fierit e të Vlorës, ajo ka qenë një kompani me një CV të pasur në vendin e saj, degë e “A4 Holding”, që menaxhon një nga autostradat më të rrahura në Itali, si dhe pronare e shoqërisë “Brescia-Padova”.

Por, nga ana tjetër, edhe vetë qeveria shqiptare u habit me çmimin anomalisht të ulët të propozuar nga ajo për të kryer punimet. Për ndërtimin e By Pass-it të Fierit, kontrata u nënshkrua me Autoritetin kompetent Rrugor më 18 mars 2013, gjatë qeverisë Berisha. Dhe, më pas, me qeverinë Rama, në muajin mars 2015 u nënshkrua marrëveshja edhe për ndërtimin e By Pass-it të Vlorës.        

By Pass-i i Fierit, gjatë projektimit, u vlerësua se do të kushtonte rreth 60 milionë euro, të gjitha të financuara me kredi. Por në tenderin e zhvilluar, kompania italiane “Serenissima” ofroi kryerjen e punimeve për më pak se 40 milionë euro, 20 milionë më pak se sa fondi limit.

Më pas, jo vetëm që punimet u bllokuan, në Fier e Vlorë, por dega e kompanisë sipërmarrëse në Shqipëri, Serenissima Costruzioni Tirana, deklaroi bilanc me humbje prej 156 milionë lekësh (më se 1.1 milionë euro) për vitin 2015, pasi pati deklaruar humbje prej 166 milionë lekësh të tjera edhe në vitin 2014.

Redaksia Online
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Lushnja fiton 0-1 dhe zhyt Erzenin në fund, renditja në Kategorinë e Parë

Lushnja fiton 0-1 dhe zhyt Erzenin në fund, renditja në Kategorinë e Parë