Ndarja e parave për 2027, dërgoi me radhë institucionet e drejtësisë para Komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Më e kënaqura nga buxheti për vitin e ardhshëm ishte Struktura e Posaçme Anti-korrupsion, buxhet që do mbështet tërësisht objektivat e SPAK tha prokurori i posaçëm Arben Shehu:
"Në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian, puna do të përqendrohet në hetimin e rasteve komplekse të korrupsionit, veçanërisht atij të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar, zhvillimin e hetimeve financiare paralele për identifikimin dhe sekuestrimin e produkteve të veprës penale. Përparësi do të kenë hetimet e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa juridiksione, ndjekja penale e pastrimit të parave dhe gjurmimi i pasurive me burime kriminale brenda dhe jashtë vendit" tha ai.
Kërkesat shtesë ishin modeste:
“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor" tha Armand Shini drejtor i buxhetit në SPAK.
Ashtu sikurse pritej, më i pakënaqur nga ndarja e buxhetit ishte Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ilir Rusi tha se paratë e dedikuara për KLGJ nuk plotësojnë nevojat për sigurinë dhe investimet për godinat e Gjykatave.
“Nuk kemi një godinë që të ketë përfunduar destinuar si gjykatë. Ndaj kemi bërë kërkesa për godina. Dihet që është një projekt makro, një masterplan për të përqëndruar të gjitha godinat e drejtësisë në një, por deri atëherë ne duhet të marrim masat tona, për godina të reja ose rikonstruksione të atyre që janë. Punonjësit e sigurisë nuk janë të mirë-paguar” tha Ilir Rusi kreu i KLGJ.
“U bënë shumë lek që ju doni t’i merrni brenda natës” replikoi Fatmir Xhafaj
Në të njëjtën linjë, edhe përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, që shqetësimin kryesor e kanë te godinat e prokurorive të rretheve:
“Prej vitesh ngremë si shqetësim mungesën e ambienteve të punës te prokuroria e Tiranës, Durrësit, Fierit e Sarandës. Ka arritur në një pikë që cënohet edhe dhënia e shërbimeve” tha zv prokuror i përgjithshëm Arqilea Koça
“4 dhëmballë të prishura, që o duhen shkulur, ose rregulluar. Ndërkohë që ju flisni, më vjen ndërmend një zgjidhje për Sarandën, për tja propozuar qeverisë” tha Xhafaj.
Për vitin 2027, projektbuxheti i SPAK është parashikuar në 2,32 miliardë lekë. Për KLGJ, rreth 6.7 miliardë ndërsa ai i prokurorisë së përgjithshme 3,4 miliardë lekë.
Në 10 vite reformë në drejtësi, në Shqipëri nuk është ndërtuar asnjë godinë e re e projektuar posaçërisht për gjykatë. Nga 20 gjykata që funksionojnë në vend, vetëm 5 kanë godina të dedikuara, ndërsa të tjerat punojnë në ambiente të përshtatura. Këto shifra u bënë publike nga kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku kërkoi fonde për ndërtimin e gjykatave të reja.
“Që nga viti 2017 nuk kemi një godinë që të ketë përfunduar, e destinuar si gjykatë. Në 10 vite reformë në drejtësi, ne nuk kemi një godinë që në momentin e parë të jetë dedikuar për gjykatë”, deklaroi Rusi.
Ai sqaroi se vetëm Gjykatat e Posaçme të Shkallës së Parë dhe Apelit, si dhe gjykatat e Shkodrës, Elbasanit dhe Korçës, funksionojnë në godina të ndërtuara për këtë qëllim.
Një nga pengesat kryesore, sipas Rusit, është mungesa e trojeve. KLGJ u ka kërkuar bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës të vënë në dispozicion tokë për ndërtimin e gjykatave, por deri tani nuk ka marrë përgjigje pozitive.
"Sot sistemi ka 20 gjykata, vetëm 5 e ushtrojnë funksionin e tyre në godina të dedikuara si gjykata, që janë dy Gjykatat e Posaçme, Shkalla e Parë dhe ajo e Apelit, Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Ndërsa të gjitha godinat e tjera janë godina që janë përshtatur për gjykata. Në 10 vite reformë në drejtësi, ne nuk kemi një godinë që në momentin e parë të jetë dedikuar për gjykatë. Prandaj ne kemi pasur kërkesa buxhetore për të bërë ndërtime. Kemi bërë edhe kërkesa për shpronësime trualli, si bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës, të cilat nuk na janë përgjigjur me vënien në dispozicion të truallit" tha ai.
Ndryshe ka ndodhur në Berat, ku Këshilli Bashkiak ka miratuar kalimin e një trualli në pronësi të KLGJ-së. Për këtë gjykatë janë parashikuar 9 milionë lekë për hartimin e projektit të zbatimit, ndërsa fondet për ndërtimin do të kërkohen në buxhetet e ardhshme.
Problematike mbetet situata edhe në Tiranë, ku KLGJ ka kërkuar prej kohësh troje për Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Apelit. Rusi tha se ekziston mundësia e zgjerimit dhe rikonstruksionit të godinës aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë, por trualli nuk është vënë ende në dispozicion për shkak të procedurave të shpronësimit. Për këtë investim kërkohen 200 milionë lekë.
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë raportimit ishte siguria në gjykata dhe rritja e kostove të shërbimit të ofruar nga kompania e sigurisw. KLGJ ka kërkuar 215 milionë lekë për pajisje zyrash dhe sigurie, si dhe 110 milionë lekë shtesë për mallra dhe shërbime.
Rusi kërkoi gjithashtu shtimin e 199 punonjësve për vitin 2027, për të plotësuar vendet vakante me sekretarë gjyqësorë, ndihmës ligjorë dhe punonjës sigurie. Sipas tij, edhe zbatimi i sistemit të ri teknologjik Euronix do të kërkojë personel dhe pajisje shtesë.
"Kërkojmë 110 milionë lekë të reja për mallra dhe shërbime. Janë dyfishuar shërbimet e postës, ka ndryshuar vlera e shërbimit të shoqërisë së sigurisë. Janë dedikuar për t’u marrë me qira objekte nga ana e Gjykatës së Apelit Administrativ, Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, për sa kohë mjediset e tyre kufizohen. Kemi edhe fondin për sigurinë e gjykatave. Është një fond prej 215 milionë lekësh të reja që ka qenë i dedikuar për blerje pajisjesh për zyra dhe sigurinë në gjykata. Pavarësisht se nuk kemi mjediset e duhura, të paktën të blejmë mjete për të rritur sigurinë në gjykata. Do të ndalesha te numri i punonjësve. Është fakt që 100 punonjës që ju na i miratuat, i detajuam për punonjës sigurie, për sekretarë gjyqësorë dhe për ndihmës ligjorë. Për vitin e ardhshëm ne kemi kërkuar 199 punonjës. Është domosdoshmëri se kemi vakanca" tha ai.
Por kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësimin se mungesa e ambienteve pengon edhe punësimin e personelit të ri, pasi disa gjykata nuk kanë hapësira ku të vendosin punonjësit.
" Nyja gordiane janë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë dhe sidomos Gjykata e Apelit Administrativ, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Nëse zgjidhen këto nga pikëpamja infrastrukturore, zgjidhet çështja e emërimit të njerëzve, se sot s’kanë ku ulen ata dhe t’i çosh. Sepse kështu… Ky është një debat i madh, por ky është fakt. Problemi pastaj është studimi dhe projektimi. Këto nuk janë të parashikuara te 84 milionë e 900 milionë lekë për projektimin dhe zbatimin e pesë gjykatave të reja? Nuk janë të parashikuara? Kjo pastaj është shumë problematike, duhet t’ia paraqes qeverisë vetë këtë shqetësim" tha Xhafaj.
Ndërkohë, gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, relatorja Evis Kushi bëri të ditur se për KLGJ-në dhe sistemin gjyqësor janë parashikuar 6.67 miliardë lekë, rreth 74.22 milionë lekë më pak se në vitin 2026.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përballen me kërcënime, presione psikologjike dhe ngarkesë të lartë pune. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar punësimin e një psikologu institucional gjatë vitit 2027, i cili do të ndihmojë jo vetëm stafin, por edhe gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Kërkesa u bë publike gjatë raportimit të SPAK në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti i vitit 2027.
Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme, Armand Shini, shpjegoi arsyet përse institucioni ka nevojë për një psikolog.
“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, tha Shini.
Përveç psikologut, SPAK ka planifikuar edhe investime për pajisje të reja, automjete dhe teknologji.
"Për vitin 2027 janë parashikuar 15 milionë lekë për pajisje zyrash, përfshirë kasaforta, grirëse letrash, mobilje dhe pajisje për ambientet mbështetëse. Ndërkohë, 30 milionë lekë janë planifikuar për blerjen e tetë automjeteve dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike" tha prokurori i SPAK Alfred Shehu
Gjatë raportimit, Shehu, bëri të ditur se buxheti i institucionit për vitin 2027 është rreth 2.3 miliardë lekë, ndërsa nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë lekë. Sipas tij, diferenca prej 209 milionë lekësh lidhet kryesisht me shtimin e 25 pozicioneve të reja dhe pagesat për gatishmëri e orët jashtë orarit.
“Për vitin 2027, pas rishikimit të kërkesave dhe reflektimit shtesë prej 46 milionë lekë në projekt-buxhetin e miratuar, buxheti i institucionit është 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë lekë. Për rrjedhojë, ka një diferencë financimi prej 209 milionë lekë, e cila lidhet kryesisht me shtimin e organikës, me 25 punonjës, dhe mbulimin e pagesave për gatishmëri dhe orët jashtë orarit. 50 milionë lekë për efektin financiar të shtimit të organikës me 25 punonjës dhe 159 milionë lekë për mbulimin e pagesave të gatishmërisë dhe orëve jashtë orarit. Kërkesat buxhetore për shpenzimet e pagave dhe sigurimeve shoqërore përllogariten mbi bazën e strukturës organike të miratuar. Për këtë arsye, në raport me tavanin buxhetor, rezulton dhe kjo diferencë prej 209 milionë lekësh, e lidhur me efektin financiar të 25 pozicioneve të reja dhe pagesat e gatishmërisë e orëve jashtë orarit. Megjithatë, kjo diferencë nuk përbën kërkesë shtesë për financim, pasi realizimi faktik i fondeve të pagave aktualisht është 60% dhe pritet të vijojë të ndikohet nga vakancat ekzistuese dhe koha e nevojshme për përfundimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve dhe oficerëve të policisë gjyqësore”, tha Shehu.
SPAK dhe BKH kanë kërkuar shtimin e 25 pozicioneve të reja, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në Byronë Kombëtare të Hetimit. Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, por vetëm 220 janë të plotësuara. Nga këto, 136 punonjës janë në SPAK dhe 84 në BKH.
Në total, rezultojnë 119 vende vakante, nga të cilat 25 në Prokurorinë e Posaçme dhe 94 në BKH. Shehu bëri të ditur se kanë nisur procedurat për rekrutimin e 40 hetuesve, ndërsa nevoja e institucionit është për 94 hetues të rinj. Ai shpjegoi se procesi kërkon kohë për shkak të testimeve dhe verifikimeve të pasurisë e figurës së kandidatëve.
Ndërkohë buxheti i SPAK është rritur me 608% nga viti 2020 në vitin 2026.
“Për periudhën 2020–2026, buxheti ka shënuar një rritje të konsiderueshme si rezultat i rritjes së volumit të punës, rritjes së numrit të punonjësve dhe zgjerimit të aktivitetit. Konkretisht, plani i buxhetit është rritur nga 327 milionë në vitin 2020 në 2,3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%. Rritja më e ndjeshme e planit buxhetor evidentohet në vitin 2026, lidhet me nevojën për të përballuar detyrat dhe përgjegjësitë në rritje dhe për të garantuar burimet njerëzore dhe financiare për institucionin”, deklaroi Shehu.
Ai theksoi se në vitin 2027, në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Europian, SPAK do të përqendrohet te hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe gjurmimit të pasurive me burime kriminale brenda dhe jashtë vendit.












Komente
Komento