Bylykbashi e Vasili: Garanci se reforma zgjedhore do të bëhet me konsensus (VIDEO)

Në përfundim të takimit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili e vlerësuan një hap të rëndësishëm tryezën e përbashkët për reformën zgjedhore, që do t'i kthejë besimin shqiptarëve tek procesi demokratik zgjedhor.

"Sapo dakordësuam dokumentin që ne si opozitë dhe pala tjetër, ramë dakord për fillimin e një procesi të rëndësishëm siç është ai i Reformës Zgjedhore, një kërkesë e kahershme e opozitës dhe ky dokument sot garanton atë që kemi kërkuar prej kohësh. Që Reforma Zgjedhore të bëhet me konsensus dhe ky konsensus i arritur të qëndrojë deri në fund, të jetë gjithëpërfshirës dhe në këtë mekanizëm ne do të kemi edhe asistencën ndërkombëtare që do të na garantojë që konsensusi ynë është në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare. Më së fund, edhe pas kaq kohësh nga kërkesa jonë që daton muaj më parë, do të institucionalizohet një forum, i cili do të jetë Këshilli Politik, i cili do të mandatojë më pas punën për të kryer të gjithë këtë reformë", tha Bylykbashi.

"Praktikisht është hedhur një hap në raport me një moment të rëndësishëm që ka të bëjë me plotësimin e një kushti kyç të Bundestagut gjerman, lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim dhe për përparimin e integrimit europian dhe që e shëndosh një proces tashmë shumë të sëmurë nga njëanshmëria për të ndërtuar një proces konsesualiteti dhe gjithëpërfshirje, por dhe me ato garanci të ekspertizës ndërkombëtare, e cila garanton soliditet dhe adreson ato çështje të cilat kanë qenë shkaku i shkatërrimit të besimit dhe në praktikë të zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri kohët e fundit. Baza e parimeve është parimore mbi çdo gjë tjetër dhe njëherazi krijon dhe mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të kenë mundësi të shprehen, të realizohet gjithëprëfshirja dhe ai konsesualitet që i ka munguar procesit dhe e ka bërë që të mbeste në vend, duke lënë pa u realizuar një objektiv themelor për integrimin europian. Besoj që në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejtim, i cili në rast të përgjegjshmërisë së duhur dhe të luajlitetit të plotë nga pala tjetër, do të ishte një mundësi për të ecur përpara dhe për të çliruar vendin jo vetëm nga damka e zgjedhjeve të manipuluara dhe të blera, por njëkohësisht do të hapte një proces politik në drejtim të integrimit europian, i cili ka ngelur rrezikshëm në udhëkryq si kurrë më parë për Shqipërinë", tha Vasili.

Sa i përket uljes në një tryezë me bashkëkryetarin e komisionit Damian Gjiknuri, Petrit Vasili, i cili nga fotot që u shpërndanë nga takimi u shfaq mjaft dashamirës me të, u shpreh: Nuk kemi ndryshuar asnjë qëndrim, por nuk kemi imponuar dhe nuk imponojmë zgjedhjet e palës tjetër dhe preferencat e saj. Ne jemi këtu pikërisht me bindjen për ndërtimin e një procesi solid, të shëndetshëm dhe të pa kontestuar nga palët.


Lajmi kryesor:

KA MARRËVESHJE! PD, LSI, Gjiknuri e Hajdari në një tryezë: Zgjedhorja miratohet deri më 15 mars! Aty ku s'ka konsensus, ndërhyn OSBE


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja