Byrek tradicional me patëllxhanë

Përbërësit:

Për petët e byrekut:

  • 750 gr miell
  • 2 lugë gjelle uthull
  • 5 lugë gjelle vaj
  • 1 lugë çaji kripë
  • 1 gotë ujë (afërsisht)
  • Miell për hapjen e petëve

Për mbushjen:

  • 1 kg patëllxhanë
  • 2 qepë të grira
  • 1 filxhan vaj
  • 1 domate e grirë
  • 2 lgj majdanoz i grirë imët
  • 1/2 filxhan trahana e ëmbël
  • 2 kokrra vezë
  • 300 gr djathë i bardhë
  • Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Përziejmë të gjithë përbërësit për brumin dhe shtojmë ujin pak nga pak derisa të formohet një brumë i fortë. E punojmë në formë cilindri dhe e ndajmë në 8 pjesë. I vendosim në një tas të spërkatur me miell dhe i lëmë të pushojnë. Ndërkohë përgatisim mbushjen. Qërojmë patëllxhanët, i presim në kubikë dhe i vendosim në ujë për pak kohë. Grijmë qepën dhe e skuqim me vaj për 2–3 minuta. Shtojmë patëllxhanët e shtrydhur shumë mirë nga uji, i përziejmë derisa të lyhen me vaj, pastaj shtojmë domaten, majdanozin dhe trahananë. E lëmë të ziejë në zjarr të ulët derisa të avullojnë lëngjet. Shtojmë piper dhe pak kripë. Kur masa të ftohet, shtojmë djathin e bardhë dhe vezët e rrahura. Hapim petët me shumë miell dhe okllai të hollë. Lyejmë tavën me vaj dhe vendosim 4 petë poshtë. Shtojmë mbushjen dhe sipër vendosim 4 petët e tjera duke i lyer me vaj ndërmjet shtresave. E vendosim byrekun të piqet në furrë në 180°C për 40–50 minuta, derisa të marrë ngjyrë të artë.