Një konflikt i nisur në rrjetin social TikTok, gjatë kohës që Gjokë Ndrevataj, i njohur me emrin “Aron”, ishte live duke komunikuar me ndjekësit, gati sa nuk përfundoi në tragjedi mbrëmjen vonë të 6 dhjetorit në Tiranë. Një 26-vjeçar u rrah barbarisht, duke i shkaktuar dëme të shumta në trup, vetëm se i komentoi Aronit dhe e shau në live-n e tij. I ndjerë i fyer, personazhi i njohur për shumë të rinj që navigojnë në TikTok-un e paligjshëm në Shqipëri, porositi bashkë me Xhemal Ukën, i njohur si “Fire” në rrjetet sociale, një person me precedent të theksuar kriminal për dhunimin e të riut, Helidon Marku, 49 vjeç.

Ngjarjen e rëndë, dikush u kujdes ta dokumentonte, pasi gjatë goditjes në kokë me çekiç në zonën pranë rrethrrotullimit të Freskut, e filmoi për t’a dërguar Gjokë Ndrevatajt, i cili më vonë e publikoi në rrjetin e tij social në TikTok si një krenari. 26-vjeçari mësohet së ka pësuar dëme të shumta, thyerje të kafkës, e cila mund t’i lërë pasoja në vijim. E gjitha, vetëm se shau dikë gjatë live-t të tij në TikTok.

Agjentët e Komisariatit nr. 4 në Tiranë, pasi identifikuan porositësit, Aron dhe Fire, për disa ditë hetuan për autorin e ngjarjes, i cili rezulton të jetë nga Shkodra. Helidon Marku u ndalua në banesën e tij në Shkodër, ndërsa komunikimi i arrestit iu bë në Tiranë. Ai rezulton personazh problematik me ligjin, pasi më herët ka shlyer një dënim prej 11 vjet e 8 muaj për plagosjen e 4 marokenëve dhe 2 shqiptarëve në Itali. Në Shqipëri, Marku rezulton i dënuar me 6 vjet burg edhe për armë pa lejë dhe shpërndarje të drogës.

Në hetim në gjendje të lirë u mor edhe një 33-vjeçar, i cili shoqëroi Markun gjatë kohës së dhunës dhe ka refuzuar t’i tregojë policisë në lidhje me ngjarjen. Kjo nuk është hera e parë që Gjokë Ndrevataj, i njohur në TikTok me emrin “Aron” përfshihet në porosi për dhunimin e personave të tjerë të cilët e fyejnë apo shajnë gjatë kohës që del live. Burime bëjnë me dije se më herët ka porositur rrahjen edhe të personave të tjerë, shqiptarë në Gjermani dhe Itali.

“Tiranë/Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, ku u plagos rëndë, me sende të forta, një 26-vjeçar.

Identifikohen 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht 2 porositësit e plagosjes dhe njëri nga autorët.

Vihet në pranga ky i fundit dhe punohet intensivisht për kapjen e 2 porositësve.

Të tre shtetasit e përfshirë, me precedentë penal të theksuar për krime kundër personit.

I arrestuari, me precedent edhe për armëmbajtje pa leje.

Procedohet penalisht një shtetas që dyshohet se ka shoqëruar autorin e plagosjes, te vendi i kryerjes së krimit, dhe nuk ka kallëzuar rrethana të rastit.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes së rëndë të shtetasit F. Y., me sende të forta, më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit “Porosia”, identifikuan 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht H. M., 49 vjeç, Gj. N., 36 vjeç dhe Xh. U., 30 vjeç.

Nga këto veprime rezultoi se 36-vjeçari dhe 30-vjeçari, për motive të dobëta, kanë porositur shtetasin H. M., për të kryer plagosjen.

Në vijim të veprimeve operacionale, 49-vjeçari u kap dhe u vu në pranga, ndërkaq po punohet për kapjen e shtetasve Gj. N. dhe Xh. U., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e 26-vjeçarit.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. D., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka shoqëruar shtetasin H. M., për të kryer krimin, si dhe ka refuzuar të deklarojë në polici, rrethana të kësaj ngjarjeje, për të cilat dyshohet se ka patur dijeni.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:10
I shante live në Tik-Tok, del foto e 49-vjeçarit që dhunoi me çekiç të riun në Fresk! U porosit nga ‘Fire’ dhe ‘Aroni’

1765551837_aronidhexhemal.png

Gjoke Ndrevataj (Aron), Xhemal Uka (Fire) dhe Helidon Marku

Gazetari i Report Tv Sokol Dema ka siguruar foton e Helidon Markut, i cili dhunoi me çekiç 26-vjeçarin tek rrethrrotullimi i Freskut më 6 dhjetor.

Helidon Marku është arrestuar nga policia ndërsa u porosit nga dy personazhet e njohura të Tik-Tok Gjoke Ndrevataj (Aron) 36 vjeç dhe Xhemal Uka (Fire) 30 vjeç. Dyshohet se kanë porositur Helidon Markun për ta rrahur vetëm prej komenteve që ai u ka bërë gjatë kohës që ata bëjnë live në rrjetin social.

Ora 16:02
Porositën rrahjen me çekiç të 26-vjeçarit në Fresk, Aroni i Tik-Tok tregon live VIDEON e dhunimit

 

Personazhi i Tik-Tok Gjoke Ndrevataj i njohur me pseudonimin Aroni, ka shpërndarë live në rrjete sociale videon nga momenti i dhunimit brutal të 26-vjeçarit më 6 dhjetor pranë rrethrrotullimit të Freskut. Në video shihet Marku duke dhunuar me çekiç në kokë disa herë të riun.

Aktualisht Gjone Ndrevakaj është shpallur në kërkim së bashku me personazhin tjetër të Tik-Tok Xhemal Uka i njohur si Fire, të dyshuar si dy personat që porositën dhunimin e 26-vjeçarit. Kjo porosi u krye nga Helidon Marku, i cili tashmë është arrestuar. Shkak për rrahjen e 26-vjeçarit janë ëbrë komentet që ky i fundit bënte në Tik Tok gjatë kohës që këto personazhe ishin live.