Çako në Gjirokastër: S’ka më zona të paprekshme

/ATSH/- Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë, Altin Qato zhvilluan të dielën një takim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Në fjalën e tij, kreu i Policisë së Shtetit, Çako, theksoi se për shkak të specifikave që ka zona, objektivat kanë ndryshuar. "Tashmë drejtoria juaj, s'ka më zona të paprekshme, të pashkelura, s'ka më të paprekshëm. As  breshëri armësh mbi lagjet e qytetit Gjirokastër apo mbi fahatin Dervicjan", tha ai.
Sipas tij, falë punës së përbashkët të forcave të policisë vitin e kaluar, për ta kthyer njëherë e përgjithmonë Lazaratin në një vend, ku të mbizotërojë normaliteti e të funksionojë ligji, nuk ka më as tonelata kanabisi e qindra mijëra bimë narkotike të kultivuara në Lazarat.
"Ne jemi prezent në Lazarat për shkak të së kaluarës së Lazaratit, për shkak të mbajtjes nën kontroll për të mos lejuar më kthimin e Lazaratit të djeshëm", tha Çako. Po ashtu, ai vuri në dukje se, tashmë banorëve do të mund t'u ofrohet edhe shërbimi policor i munguar prej dy dekadash e çdo shërbim tjetër që ofrojnë institucionet shtetërore.
Kreu i Policisë së Shtetit konfirmoi se prania e punonjësve të policisë në këtë fshat, lidhet me përpjekjen për të kapur dhe çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që shkelin ligjin.
Drejtori Çako dha gjithashtu porosi për forcimin e kufirit jeshil, që mund të shfrytëzohet për trafiqe të paligjshme dhe për trafikun e klandestinëve që vijnë nga vendet e treta, si edhe një prioritet tjetër sipas tij, është marrja e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Për sa i përket fushatës zgjedhore, ai theksoi nevojën për zbatimin e ligjit. "Duhet të tregohemi profesionalë, të paanshëm për të ndëshkuar cilindo që tenton të prishë rendin e qetësinë gjatë aktiviteteve elektorale dhe fushatës në tërësi', u shpreh Çako

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

'Giro D'Italia' nis nga Shqipëria, Edi Rama: Njësoj si të kishim Cristiano Ronaldon mbi biçikletë