/ATSH/- Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako me ftesë të drejtorit të policisë maqedonase Gorance Savovski , ka zhvilluar sot një takim pune në Ohër të Maqedonisë.
Çako së bashku me drejtorin e Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda Ardian Çipa dhe delegacionin që e shoqëron, e kanë zhvilluar këtë takim me të gjithë drejtuesit e policisë maqedonase.
Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se gjatë takimit Çako-Savovski, kanë vlerësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e deritanishëm mes dy policive dhe kanë shprehur dakordësinë që këto marrëdhënie të forcohen më tej dhe bashkëpunimi të konkretizohet akoma më shumë në disa drejtime kryesore si në:
1. Shkëmbimin e informacionit në kohë reale për veprimtarinë e grupeve kriminale që mund të veprojnë në territorin e dy vendeve;
2. Forcimin e bashkëpunimit mes policive kufitare të dy vendeve si dhe goditjen e krimit ndërkufitar;
3. Funksionimi me kapacitet të plotë i të gjitha pikave kufitare me Maqedoninë
4. Parandalimin dhe goditjen e migracionit ilegal
5. Goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe lëndëve narkotike
6. Shkëmbim të informacionit për luftën kundër terrorizmit