Kryeministri britanik, David Cameron, kërkoi sot në mëngjes që Britania e Madhe të "mblidhet" pas fitores së "-jo"-së, që ai vet e kishte mbështetur fuqishëm, në referendumin për pavarësi të Skocisë.
"Për Britaninë e Madhe është koha që të mblidhet dhe të ecë përpara", deklaroi Cameron gjatë një deklarate në "10, Downing Street në Londër", duke vlerësuar se çështja e pavarësisë së Skocisë tashmë është zgjidhur për të paktën një gjeneratë.

"Populli skocez foli, vendimi i tij është i qartë", tha drejtuesi konservator.

"Ai vendosi këtë mëngjes integritetin e katër kombeve tona (Skoci, Uells, Irlandë e Veriut dhe Angli. shën. i përkth.) dhe si miliona persona të tjerë, unë jam shumë i lumtur", shtoi Cameron.
"Sikurse e kisha thënë gjatë fushatës, të merrja pjesë në shpërbërjen e Britanisë së Madhe do të më kishte thyer zemrën", tha ai.

"Jo"-ja në referendumin e pavarësisë përbën një fitore personale për kreun konseravator, i cili u angazhua personalisht në këtë fushatë, fillimisht pak diskret, para se të bënte një apologji pasionante, të hënën, në tokë skoceze, duke i kërkuar votuesve që të mos e shpërbëjnë këtë familje./ATSH/