Çamët, projekt afrimi me Ramën
pas Papuliasit, të bashkëqeverisë

Çamët, projekt afrimi me Ramën<br />pas Papuliasit, të bashkëqeverisë
TIRANE- PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi është e gatshme të qeverisë me koalicionin e majtë, por pasi të shohë qëndrimin që do mbahet në vijim ndaj çështjes çame dhe fqinjit tonë jugor, Greqisë. Pritet që në fillim të vitit, të ketë një aleancë me Ramën në qeverisje.

Partia Për Drejtësi dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi dhe që përfaqëson komunitetin çam në Shqipëri, është në një proces afrimi me mazhorancën e majtë në pushtet. Marrëveshja mes Ramës dhe përfaqësuesve të PDIU pritet të kalojë përmes dy fazave, që janë të lidhura fort dhe me qëndrimin që do të vijojë të mbajë mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama ndaj çështjes çame dhe fqinjit tonë jugor.

Mësohet se faza e parë e marrëveshjes mes PDIU dhe mazhorancës pritet të jetë në konturet e mbështetjes nga jashtë kabinetit qeveritar, të nismave ligjore dhe vendimeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e vendit e tejkalimin e krizës ekonomike.

Ndërsa faza e dytë do startojë me përfshirjen direkte në bashkëqeverisje me PS partitë e majta të mazhorancës së drejtuar nga Rama, proces i cili pritet të startojë pikërisht në fillimin e vitit të ardhshëm, atëherë kur të jetë qartësuar puna për shumë prej dikastereve dhe drejtorive qëndrore të kësaj qeverisjeje, me bërthamë koalicionin PS-LSI.

Mësohet nga burimet brenda PDIU se arësyeja që e mban pezull deri në këto momente një kalim total të pesë deputetëve të PDIU drejt koalicionit të majtë në qeverisje, janë një sërë zhvillimesh që pritet të realizohen këtë periudhë dhe që kanë të bëjnë me vizitën e presidentit grek në Tiranë Karolos Papulias dhe qëndrimit që do të mbajë ai ndaj çështjes çame që për pasojë do të sjellë dhe qëndrimin e palës shqiptare ndaj saj, si dhe takimet e tjera të mëvonshme dhe qëndrimet e tjera të qeverisë shqiptare deri në momentin kur Këshilli i Ministrave të vendeve të BE të vendosin unanimisht për dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE për Shqipërinë.

Pikërisht një qëndrim i tillë i qeverisë shqiptare ndaj çështjes çame dhe fqinjit jugor Greqisë, shkalla e lëshimeve që mund të bëhen deri në dhjetor për të fituar statusin, janë dhe barometri përcaktues për një afrim akoma më shumë të PDIU me mazhorancën e majtë dhe bashkëqeverisja me të, duke kaluar në mbështetje dhe pesë deputetët e PDIU, që e çojnë mazhorancën me 90 mandate në Kuvend. Numër ky, vetëm 3 deputetë larg shumicës kushtetuese në Kuvend, e aftë për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë. Mësohet se PDIU është e bindur që qeveria e drejtuar nga Rama do të mbajë të njejtin qëndrim ndaj çështjes çame dhe marrëdhënieve me Greqinë që është mbajtur deri më tani, duke e bërë akoma më të sigurtë afrimin e partisë përfaqësuese të çamëve me mazhorancën në qeverisje. Pikërisht në fillim të vitit të ardhshëm pritet të startojë konkretisht bashkëqeverisja në nivel zv.ministrash dhe drejtorësh të përgjithshëm dhe për PDIU.
 
Kushtet
“Qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj çështjes çame dhe fqinjit jugor Greqisë, shkalla e lëshimeve që mund të bëhen deri në dhjetor për të fituar statusin, janë barometri përcaktues për një afrim akoma më shumë të PDIU me mazhorancën dhe bashkëqeverisja me të”.

Shkrimi u publikua sot (2.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar