Cani bashkëbisedon me fermerët
në Dibër: Ja skemat mbështetëse     

Ministri i Financave Shkëlqim Cani zhvilloi të premten një takim me fermerë në qarkun e Dibrës. Cani u ndal në këtë takim në politikat buxhetore të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, që synojnë zgjerimin dhe përmirësimin e efektivitetit të skemave të mbështetjes së fermerëve, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si edhe formalizimin e sektorit të peshkimit.

Në mbështetje të programit të qeverisë ministri tha se “rajonizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral mbi bazën e potencialeve specifike sipas rajoneve, do të sjellë rritjen e efektivitetit të mbështetjes financiare”.

“Do të mbështeten financiarisht afërsisht 10,800 fermerë me skema financimi që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, si dhe lehtësimin e daljes në treg”- tha në takimin me fermerët e qarkut Cani, duke theksuar se kosto totale në këtë mbështetje shkon 1.9 miliardë lekë.

Ministri i Financave u ndal më pas në stimulimin e përdorimit të teknologjive të zhvilluara dhe inovacionit në sektor, në rritjen e konkurrueshmërisë të prodhimit dhe agro-përpunimit në vend.

Cani shpjegoi se heqja e barrierave tarifore për inputet bujqësore dhe lëndët e para të prodhimit bujqësor dhe industrial, rregullimi i TVSH-së për uljen e kostos së produkteve bujqësore, ulja e barrës financiare për importin e makinerive bujqësore dhe kafshëve për mbarështim, etj, janë disa nga politikat që kanë filluar të japin rezultatet e parë në gjallërimin e veprimtarisë ekonomike të fermerëve, edhe në qarkun e Dibrës.

shkelqim cani

Duke folur për politikat fiskale të ndërmarra nga ministria e Financave, kreu i këtij dikasteri theksoi se bujqësia është trajtuar si sektor prioritar i Qeverisë gjatë vitit 2014 dhe për këtë arsye ky sektor ka pasur një vëmendje të veçantë për sa i përket uljes së kostove të fermerit, nëpërmjet përjashtimeve dhe uljes së taksave të ndryshme.

Kështu, sipas ministrit, në ligjin e ri “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” që hyri në fuqi në gusht 2014, u rikonceptua skema e kompensimit të fermerëve në masën 20 % nga 6 % që ishte më parë, masë e rëndësishme kjo në uljen me 20% të kostove të fermerit për blerjet e lëndëve të para.

Edhe në vitin 2015, ky sektor do të vazhdojë të jetë prioritar, bazuar në masat e përfshira në peketën për bujqësinë, e cila është një paketë e plotë masash për nxitjen dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agrobiznesit, për uljen e kostove dhe rritjen e rentabilitetit të këtyre sektorëve.

Ndër këto masa, ministri i Financave, Cani, përmendi kalimin nga 2% në 0% të taksave për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë si psh gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë një ditorë, derrat nën 30 kg, viçat nën 160 kg, apo edhe kalimi nga 10% në 0% i tarifës doganore të miellit dhe të materialit biologjik elitar.

“Këto reduktime të taksave doganore do të kenë një kosto në buxhetin 2015, e cila llogaritet rreth minus 232 milionë lekë bashkë me TVSH-në, e cila automatikisht do të ulë po në këtë shumë shpenzimet e biznesit. Kemi pritshmëri dhe për ulje të çmimeve të disa produkteve bazë ushqimore të tilla si: buka apo mishi”, tha ministri Cani në takimin me fermerët e këtij qarku.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës