TIRANE - Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u ndal sërish tek shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për sigurinë në Punë, ministri Cani tha se synohet që qeveria të realizojë shlyerjen e këtyre detyrime brenda 6-mujorit të parë të 2014, më herët nga sa ishte premtuar.
 
“Objektivi i qeverisë ka qenë që brenda 2014 që në të paguajmë 350 mln dollarë detyrime të vjetra. Qeveria me vullnetin e mirë, dhe duke mirëkuptuar kërkesat tuaja e përshpejtoi procesin dhe gjykon që ne të realizojmë shlyerjen e tyre më shpejt, brenda 6-mujorit të parë. Ne tashmë kemi disbursuar 200 milionë. Si ministri e Financave jemi për realizimin e masave sa më shpejt. Por duhet edhe vendosshmëria për të zbatuar në praktike këtë”, tha ministri Cani.

Por mbledhja e e sotme e Këshillit Kombëtar të Punës nisi me debate mes ministrit të Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj dhe zv/presidentit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Sami Karriqi. Në fillim të mbledhjes Karriqi ka kërkuar të lexojë një deklaratë të sindikatave, gjë që nuk është lejuar nga ministri Veliaj, i cili ka kërkuar të respektohet axhenda.

Por zv/presidenti i BSPSH ka vijuar leximin e deklaratës pa iu dhënë leja.

Ministri Veliaj, në fjalën e tij tha se janë dhënë 250 milionë dollarë për shlyerjen e borxheve ndaj bizneseve. Ndërsa u shpreh se nga 30 prilli deri 2 maj do të hapet Panairi i Punës, ku do të ofrohen 5 mijë vende pune.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i pranishëm në këtë mbledhje tha se “përpara jetës së çdo punëmarrësi, nuk ka asnjë çmim. Miratojmë disa projektvendime të rëndësishme që garantojnë sigurinë dhe shëndetin në punë. Përcaktojnë kërkesat minimale për ngarkesën në punë, prania e agjentëve kimike e biologjikë të rrezikshëm”.

KREU I ISHP, YLLI: SYNOJMË ULJEN E NUMRIT TË AKSIDENTEVE NË PUNË
Kreu i Inspektoratit të Punës Dritan Ylli në prezantimin e problematikave dhe arritjeve sa i takon punës për garantimin e sigurisë në punës, tha se po punohet për minimalizimin e aksidenteve në punë. Sipas Yllit, në tremujorin e parë të 2014 vihet re një ulje e aksidenteve në punë, krahasuar me 3-mujorin e katërt të 2013.
 
Ndërkaq, theksoi se me ndryshimin e metodës së inspektimit nga inspektorët e punës, do të shmangen abuzimet dhe informaliteti.
 
“Synojmë përmirësimin e klimës së biznesit në vend, dhe respektimin e ligjit sa i takon sigurisë në punë. Synojmë minimalizimin e aksidenteve në punë. Kemi evidentuar punësimin informal. Synojmë rritjen e masave të sigurisë në punë në sektorin e ndërtimit. Në tremujorin e parë të 2014 vihet re një ulje e aksidenteve në punë, krahasuar me 3-mujorin e katërt të 2013. Kemi rreth 1178 subjekte që kanë të punësuar mjekë në ndërmarrje.
Kemi rritje të besueshmërisë ndaj inspektoratit të punës, dhe kjo vihet re edhe nga numri në rritje i ankesave drejtuar institucionit tonë. Ka ndryshuar metoda e inspektimit nga inspektori i punës. Kjo synon shmangien e abuzimeve dhe korrupsionit. Për arritjen e objektivave tona synohet rritje e performancës”, tha Dritan Ylli.
 
Redaksia Online
(e.s/Shqiptarja.com)