PRISHTINË-Ministri i Financave Shkëlqim Cani bashkë me homologun e tij të Kosovës, Besim Beqaj kanë nënshkruar sot marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin si dhe për parandalimin e evazionit fiskal.

Gjithashtu, ata kanë nënshkruar dhe marrëveshjen për heqjen e tatimit të vlerës së shtuar në import për librat, gazetat, revistat, periodikët si dhe materialet e ngjashme të shtypit të publikuara në Shqipëri apo në Kosovë.

Këto marrëveshje sipas Beqajt, kanë treguar edhe njëherë "orientimet vëllazërore të të dy shteteve", duke shprehur gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar edhe më ngushtë.

“Pra ne si dy ministra të Financave, në këndvështrimin e mundësimit të lëvizjes së këtyre mallrave tani më kemi bërë punën tonë dhe ju urojmë sferave të edukimit dhe akademive të shkencave që të bashkëpunojmë sa ma frytshëm dhe të krijojmë një ambient të përbashkët në fushën e edukimit”, ka thënë ministri Beqaj.

Në vijim, ai bëri të ditur se gjatë vizitës së homologut e tij shqiptar Cani, ka bashkëbiseduar edhe për avancimin e procesit për krijimin e bazës për menaxhim të integruar të kufirit.

Ai ka informuar po ashtu se është hequr barriera edhe për tubat e çelikut dhe po ashtu është hequr edhe leja e veçantë që ka qenë për kalimin e cigareve.

Ndërsa, ministri i Financave, Shkelqim Cani është shprehur se kjo marrëveshje të pësohet edhe të tjera.

“Është kënaqësi të vijë për herë të dytë për një kohë të shkurtër për të nënshkruar dy marrëveshje natyrisht që uroj që herën e tretë kur të vijë të nënshkruajmë tre marrëveshje, ndoshta dhe gjashtë sepse hapësira, dëshira dhe vullneti nuk na mungon, kështu që urojmë që të shtohet numri i marrëveshjeve”, ka thënë Cani.

Të dy ministrat kanë rënë dakord edhe për inkurajimin e dy Dhomave të Tregtisë për një marrëveshje ose memorandum mirëkuptimi sa më të shpejtë në ndihmë të tyre.

Të dy ministrat gjithashtu inkurajuan edhe institucionet e tjera për bashkëpunim sa më të madh sidomos për një menaxhim të integruar të kufijve dhe me një pikë  doganore.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)